Brovina kujton demonstratën e parë

Brovina flet për arrestimin: Ishte nënshkrimi im, nuk kisha kah t’ia mbaj

24 April 2019 20:17
21:31

Flora Brovina ishte lajmëruar nga njësiti në Gollak se duhet të largohet sa më parë nga Prishtina, meqë ishin përgatitur që ta arrestonin.

Ajo tregon se afër shkollës Elena Gjika në Prishtinë kishte edhe një depo të madhe ku mbante barna, materiale për ushtri, me teste për dhunim dhe atë kohë, pas vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi me dy djemtë, policia serbe e kishte zbuluar.

“Te shkolla normale atë kohë ishin vrarë edhe dy djem në atentatin që kishin bërë ndaj policëve dhe në librezat e tyre ishin gjetur si anëtarë të shoqatës humanitare me nënshkrimin tim, do të thotë kjo ishte, s’kisha kah t’ia mbaj”.

“Një ditë, në mëngjes kur po kthehesha prej qendrës, edhe atje shkoja ilegalisht, shkova të marr diçka në shtëpi, më dolën policët dhe më burgosën”, përfundon rrëfimin Brovina.

21:03

Brovina tregon si u zbulua që Jasharët ishin të strehuar te ajo

Menjëherë pas masakrës në Drenicë, Flora Brovina kishte strehuar shumë familje, ndër ta edhe familjen e Sherif Jasharit.

“Ishte familja e Sherif Jasharit dhe pacienti kishte plagën hyrëse në kraharor dhe dalje në anën tjetër. Disa herë e kam dërguar të mjekët kirurgë por disa herë edhe vetë e kam mjekuar. Madje kishte edhe ekipe të huaja që ishin në Kosovë. Fotografitë e para për këtë pacient të Jasharëve ishte kur unë po i lidhja plagën dhe meqenëse unë e kam gishtin pak të këputur se motra ime e kishte parë filmin, atëherë më tha, e pashë filmin, kujdes”, thotë Brovina.

20:31

Brovina: Lufta filloi nga helmimi i fëmijëve

Lufta në Kosovë filloi nga fëmijët thotë Flora Brovina, aktiviste e të drejtave të njeriut, sot deputete e Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së Brovina foli për përvojën e saj si mjeke në kohën e luftës.

“Nuk kam besuar kurrë se mund të ndodhë helmimi i fëmijëve. Lufta në Kosovë ka fillu me fëmijët, dikush e pengonte mjekun të mos punojë, dikush pacientin. Për mua nuk kishte ndonjë pengesë sepse doja ta gjeja të vërtetën. Më kujtohet në ambulancë, nganjëherë e merrja diagnozën dhe nuk e shkruaja saktë për observim dhe të vërtetën e futja në një letër në xhepin e mantelit sepse ato duhej t’i kisha diku tjetër përpos në kartelat mjekësore”, ka thënë ajo.

“Shumë shpejt më përjashtuan nga puna”, kujton Brovina.

20:17

Brovina kujton demonstratën e parë

Pas 20 vitesh nga arrestimi i saj, humanistja Flora Brovina në Rubikon të KTV-së shpalosi rrëfimin për angazhimin e saj politik.

Hollësisht e kujton Brovina demonstratën e saj të parë.

“Kur filloi ora letrare unë isha shumë e shqetësuar sepse flitej për ujkun i cili domosdo ishte edhe në medie. Dikush nga publiku nuk e pëlqeu këtë shprehje ‘Ujku në gazetë’, sepse thanë nuk është poetike. Atëherë unë u ngrita dhe e bëra një demonstratë të vogël. Thashë që unë vi nga jugu, sepse kështu quhej Kosova, dhe nëse më shihni në të zeza mos mendoni që vi nga Afrika, edhe në jemi njësoj, nuk vi nga Afrika por nga Kosova, thashë nuk pajtohem se ujku nuk është në gazetë, ai është edhe në shtëpitë tona dhe pikërisht sot kisha një dilemë nëse duhet të rrija në shtëpi ta dëgjoj televizionin apo të vijë në orë letrare”, kujtoi ajo.

“Për t’i dëshmuar vetvetes se ne nuk do të vdesim, do të jemi të fortë, erdha në orë letrare”.

Pas këtyre fjalëve, thotë Brovina, audienca u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti pa ndalë.

“Krejt salla u çu në këmbë e mu afruan e më përqafonin”.

Për afro dy vjet Brovina ishte maltretuar nëpër burgjet serbe, duke u bërë atëbotë njëra ndër gratë më të njohura të burgosura në botë. Ajo u lirua, pasi që ishte dënuar nga gjykata serbe me 12 vjet burgim, pas shumë apeleve, peticioneve dhe shpërblimeve ndërkombëtare.

“Kjo ishte demonstrata ime e parë”, përfundoi Brovina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme