VV-ja e dështon certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për veri, kjo e cilëson sulm politik

Lista Serbe ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së

24 April 2019 19:28
21:00

Lista Serbe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pasi KQZ-ja nuk certifikoi kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 19 majit në katër komunat veriore.

KQZ sot nuk arriti të certifikojë Listën Serbe për shkak se dy përfaqësues të Vetëvendosjes abstenuan me arsyetimin se Lista Serbe duhet të japë dëshmi shtesë se e njeh Kosovën.

 

19:28

VV-ja e dështon certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për veri, kjo e cilëson sulm politik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe dhe kandidatët e saj për kryetarë të komunave në veri të Kosovës.

7 anëtarë kanë votuar për, ndërsa dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes abstenuan. Kjo bëri që të dështojë certifikimi, pasi nevojiteshin 8 vota.

Aktualisht, KQZ-ja funksionon me 9 anëtarë, pasi koalicioni PAN nuk i ka dërguar dy emrat për dekretim te presidenti, raporton KTV.

Para se të hidhej në votim, pati diskutime e përplasje mes anëtarëve të komisionit.

Adnan Rrustemi ka kërkuar që Lista Serbe të distancohet nga përmbajtja e aktit të dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri, ku i janë referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Listës Serbe, ka thënë se moscertifikimi i subjektit të tyre është sulm politik, pasi i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me Ligjin për Zgjedhjet.

“Moscertifikimi i kandidatëve është për arsye të pastra politike, pasi këtu shemben të drejtat demokratike që njerëzit të zgjidhen përmes zgjedhjeve. Unë këtë nuk mund ta konsideroj ndryshe, përveç si një sulm brutal ndaj bashkësisë serbe dhe Listës Serbe, e cila përfaqëson këtë komunitet”, ka thënë Stevan Veselinoviq, anëtar i LS-së në KQZ.

Në krejt këtë diskutim, kryetarja e KQZ-së dhe përfaqësuesi i LDK-së, kanë kërkuar që të shmangen deklaratat politike.

Ndaj këtij vendimi të KQZ-së, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do të mbahen më 19 maj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme