Arbëri

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 2017 ndaj personit që të hënën vrau gruan dhe renë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka konfirmuar se prokuroria kishte ngritur aktakuzë për kanosje në fund të vitit 2017 ndaj Hasan Krasniqit, personit që të hënën në Prishtinë vrau gruan, renë dhe më pas edhe veten.

Beka në Express Intervistën në KTV ka konfirmuar se ka pas një kallëzim penal ndaj Krasniqit dhe prokuroria e kishte ngritur aktakuzën më 11 dhjetor 2017. Ai ka thënë se deri në momentin e vrasjes nuk kishin marrë asnjë informatë nga gjykata lidhur me rastin.

“Ne e kemi gjetur se më 2017 ka pas kallëzim penal për dhunë në familje apo më mirë thënë për kanosje mes dy bashkëshortëve. Ajo përfundoi me ngritje të akuzës më 11 12 2017. Lënda është në gjykatë”, ka thënë ai. “S’kemi informata për rastin, sepse s’ka përfunduar”.

Sipas tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë po i trajton me prioritet rastet e dhunës në familje.

Duke folur për rastin e Drenasit ku një e mitur dyshohet se ishte keqpërdorur seksualisht nga një arsimtari, një polic, një avokat. Beka ka konfirmuar se rasti është afër ngritjes së aktakuzës.

Beka ka folur po ashtu edhe për parashkrimin e rasteve me ç’rast ka thënë se mungesa e gjykatësve ka sjellë një gjendje të tillë në gjyqësor. Ai është ankuar për numrin e vogël të prokurorëve. Ka thënë se në Prokurorinë që ai udhëheq ka nevojë për 70 prokurorë, e aktualisht janë vetëm 50. Beka ka thënë po ashtu se do të preferonte profilizim edhe për rastet e dhunës në familje, të grabitjeve, e krimeve kibernetike, por ka shtuar se kjo është e pamundshme për shkak të numrit të vogël të prokurorëve.