Arbëri

Kosova dhe Kroacia fuqizojnë bashkëpunimin midis institucioneve supreme të auditimit

Descriptive Text

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka takuar homologun e tij nga Kroacia, Ivan Kleshiq dhe bashkëpunëtorët e tij, ku temë qendrore ishte intensifikimi i bashkëpunimit dhe përkrahjes së ndërsjellë me qëllim të forcimit të auditimit të jashtëm në të dyja vendet.

Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë ka vlerësuar lartë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK) dhe progresin e arritur në auditimin e jashtëm në Kosovë.

Kleshiq, sipas një komunikate për media të ZKAK-së, ka theksuar nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe përvojave, në interes të avancimit të mëtejmë të auditimit të jashtëm dhe përmirësimit të menaxhimit të parasë publike.

“Krerët e të dyja institucioneve kanë nënvizuar përfitimet që mund të arrihen përmes një procesi të qëndrueshëm të bashkëpunimit bilateral. Në mbështetje të zhvillimit profesional, të dy palët janë pajtuar për një bashkëpunim të vazhdueshëm, koherent e konkret që do të realizohet përmes shkëmbimit të ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojës audituese”, thuhet në komunikatë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni kroat do të zhvillojë takime me deputetë në Kuvendin e Kosovës si dhe me zyrtarë të lartë qeveritar.