Gjuriqi e quan “çmenduri” mos-certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri Foto: Ilustrim

Gjuriqi e quan “çmenduri” mos-certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

24 April 2019 13:36

Drejtori i zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha sot se ‘ndalimi’ i përfaqësuesve të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është një akt me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat politike për serbët.

“Pjesëmarrja e mëtejshme e serbëve në çdo institucion të Prishtinës dhe proceset politike të organizuara nga Prishtina pas një akti të tillë bëhet i pakuptimtë”, ka thënë Gjuriqi në një reagim dërguar mediave, raporton FoNet, transmeton Koha.net. 

Ai tha se do të zhvillojnë konsultime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Qeverinë por edhe me Serbët e Kosovës dhe “së bashku do të marrim vendimin për hapat e ardhshëm”.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ “sot kanë prezantuar masat e ndarjes kombëtare ndaj serbëve, të cilëve edhe formalisht u është marrë statusi i qenieve të lira njerëzore në Kosovën e vetëshpallur”.

“Serbia nuk do t’ua mohojë të drejtat qytetare dhe politike shqiptarëve, sepse me kësi çmendurie dhe papërgjegjësie të Prishtinës s’guxon dhe s’duhet të veprojë me reciprocitet”.

Gjuriqi ka vlerësuar se është e pabesueshme që gjëra të këtilla ndodhin para syve të bashkësisë ndërkombëtare.

Kujtojmë se në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe dhe 4 kandidatët e saj për kryetar të 4 komunave veriore në Kosovë si pasojë e abstenimit të dy anëtarëve të Vetëvendosjes në Komision.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme