Arbëri

Sipas Jovanoviqit, njohja e pavarësisë së Kosovës e kthen Serbinë në vitet e 90-ta

24 prill - Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (Demokratska stranke Srbije - DSS), Millosh Jovanoviq deklaroi mbrëmë se kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian është njohja e shkëputjes së Kosovës, shkruan sot "Danas" i Beogradit, transmeton Koha.net.

Kjo gazetë duke cituar komunikatën e DSS-së bën të ditur se Jovanoviq ka deklaruar në tribunën e kësaj partie të mbajtur në Novi Sad se "me njohjen nga Serbia do t'ia varte vetes në qafë mjerim të madh" dhe se në këtë mënyrë "hapet çështja e Krahinës së Rashkës dhe e secesionizmit në Vojvodinë, si dhe çështja e Republikës Serbe (Serpska)"

Sipas tij, kjo do të ishte kthim (i Serbisë, sqarim ynë) në vitet e nëntëdhjeta tash në vitin 2020.

Ai ka thënë se politikanëve në Serbi iu mungon durimi dhe këmbëngulësia, ndërsa ka shtuar se gjendjen nuk mund ta ndryshojnë brenda natës asnjëri nga liderët, as Dragan Gjillasi i Aleancës për Serbinë, as kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Sergej Trifunoviq, e po ashtu as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se për rirregullimin e Serbisë nevojitet kohë më e gjatë.

Jovanoviq citohet të ketë thënë se nuk duhet të shpresohet shumë as nga demonstrimet në rrugë.