Spitali i Prishtinës kryhet brenda 3 vjetësh, mungesa e tij ka qenë shkurt-pamësi

Ismaili pranon se në SHSKUK ka problem me shpërndarjen e barnave

24 April 2019 00:17
00:32

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i ftuar në emisionin “Interaktiv” ka folur për mungesën e barnave në spitale publike. Ismaili ka përmendur disa çështje që ndërlidhen me mungesën e barnave të Listës Esenciale.

Ai nuk e ka përmendur buxhetin për barna si arsye e këtyre mungesave por sistemin e shpërndarjes së barnave që, sipas tij, nuk funksionin siç duhet. Rreth 1 vit e gjysmë pas prej kur e ka marrë detyrën, Ismali ka pranuar se shpërndarja nuk funksionon siç duhet.

“Kemi të bëjmë me një sistem jo të mirë të qarkullimit të informatave... Nuk ke përgjegjësi të saktë, në kohë reale. Ti e sheh që në këtë repart, në këtë klinikë produkti është fillu me u shpenzu dhe është normale që me nisë me porositë”, ka thënë ai.

Sipas tij aktualisht janë duke investuar në sofistikimin e sistemit të shpërndarjes se barnave.

“Koha Ditore” në temën qendrore të javës se kaluar pati përmendur një serë arsyesh që lidhen me mungesën e barnave e që nuk ka të bëjë me para. Ai ka pranuar që një ngecje ka ndodhur edhe në transferin e kompetencave të blerjes së barnave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tek SHKSUK-ja.

“Në këtë mes ka pas një lloj ngecje. Ngecje ka pasur tek dy anët”, ka thënë ai.

Ismaili ka arsyetuar mungesën e barnave edhe me ato që ai i konsideron sfida që e kanë përcjell.

“Problemi me barna është një nga problemet më të mëdha që kam pas në MSh. Ka pas probleme me blerje të barnave, probleme me Listë Esenciale, probleme me shpërndarjen e barnave. Pra na është dashur të punojmë në tri fronte”, ka thënë ai.

Mungesën e barnave ai e ka lidhur edhe me mundësinë e referimit nga spitalet publike në atë private.

Sipas tij, në mungesë të materialit shpenzues të nevojshëm për ndonjë shërbim që kryhet në QKUK ka mundësi që pacienti të referohet në spitalet private.

“Institucioni publik nuk është qendër referente. E di që ka ndodhur në të kaluar nuk po them që nuk po ndodhë as tash. Pacientet që hasin në të tilla raste duhet të marrin emrat e profesionistëve e t’i dërgojnë në Inspektorat Shëndetësor. A ekzistojnë gabime të qëllimshme a të paqëllimshme në referimin e pacientëve duhet të kemi kujdes të gjithë”, ka thënë ai.

Ismaili është pyetur për tenderin e hemodializës i cili sipas raportimit të medieve i është dhënë një njeriu të afërt me PDK-në. Ka thënë se me rëndësi që të kursehet buxheti dhe se nuk i intereson që kush djali i kujt është.

“Na jemi akuzuar non-stop mos po e favorizojmë këta ose atë. Është mundu me u mbajt monopoli patjetër”, ka thënë ai. Ismaili pretendon që me këtë tender kanë kursyer mbi 2 milionë euro.

Por siç kishte raportuar “Koha Ditore” muaj me parë QKUK-ja ka hapur tender në vlerë të 700 mijë eurove për servisimin e aparaturave të Hemodializës. Në tenderët e kaluar sipas gazetës servisimi nuk paguhej fare. Po ashtu për rreth një vit MSh-ja i ka dhënë kësaj kompanie tender emergjent çmimi i tyre për disa lote është rreth 100 për qind më i lartë se në tenderin e rregullt me po këtë kompani.

00:25

Ismaili: Kadri Veseli do të jetë kryeministër i ardhshëm shumë i mirë i Kosovës

Numri dy i PDK-së, Uran Ismaili, është i bindur se partia e tij është e para në disponimin aktual të votuesve në Kosovë.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se nuk janë të vërteta sondazhet që PDK-në që drejtohet nga Veseli do të dalë partia e tretë. Ka shprehur bindjen se Kadri Veseli do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

“Roli dhe pozita e kryeministrit të ardhshëm do t’i takojë PDK-së, nëse ne i fitojmë zgjedhjet dhe ne besojmë fuqishëm se do t’i fitojmë ato, dhe Kadri Veseli do të jetë kryeministër i ardhshëm shumë i mirë i Kosovës”, ka thënë ai.

Aty ka folur edhe për procesin zgjedhor brenda partisë. Ka thënë se “Dekada e re” po shkon jashtëzakonisht mirë, befasisht shumë mirë.

“Natyrisht se proceset elektorale ngjallin pakënaqësi. Por tash 41 mijë njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në procesin zgjedhor në PDK. Kjo është befasi e këndshme”, ka thënë Ismaili, përcjell Koha.net. “Kjo tregon se PDK-ja ka një besim shumë të madh te qytetarët”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se “Dekada e re”, nuk e ka pas qëllim që të zgjedhë 32 kryetarë të degëve të rinj.

“Janë 16 të rinj dhe 14 që kanë qenë ekzistues. Reforma jonë, që ju nuk e shihni është se çka ndodh në nëndegë. Nëndega është qeliza që bënë aktivitetin politikë, dhe për neve Dekada e Re ka pas synim që t’i forcojmë nëndegët”, ka thënë Ismaili. “Është mirë që ka hyrë Eliza Hoxha, dhe do të ketë edhe njerëz të tjerë, sepse kanë besim në PDK-në”.

00:17

Spitali i Prishtinës kryhet brenda 3 vjetësh, mungesa e tij ka qenë shkurt-pamësi

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se Prishtina ka pas nevojë që një kohë shumë të gjatë për Spital.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se qytetari i Prishtinës është në situatë shumë të disafavorshme, sepse i duhet të shkojë direkt në QKUK, dhe barazohet me qytetarët e qyteteve të tjera që kanë kaluar në shërbimin sekondar.

“Vushtrria ka spital, Prishtina mos me pas spital trego njëfarë shkurtpamësie në këtë punë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo ka marrë fund. Ka treguar se tashmë kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrin e MAPL-së, Mahir Yagcilar, për ndërtimin e këtij objekti.

“Do të bëhet një analizë se për çfarë shërbimesh ka nevojë në Spitalin e Prishtinës”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se spitali i ri do ta shkarkonte edhe qytetarin por edhe mjekët në QKUK.

“Buxhetin që e kemi ndarë është 7 milionë, që na lejon vetëm nisjen e procedurave, por kostoja përfundimtare do të dalë pasi të krijimit të projektit dhe analizave. Mirëpo në pamundësi që ta dimë koston definitive ne nuk kemi mundur të shkojmë te ministri i Financave dhe t’i themi ndaj 20 milionë euro”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se ndërtesa e Spitalit duhet të kryhet brenda 3 viteve.

“Lokacioni duhet të përcaktohet nga ana e Komuna e Prishtinës. Kemi kontratë edhe me Komunën e Prishtinës, dhe mendoj se ata do ta bëjnë një gjë të tillë në momentin që jemi gati. Nuk pres që kjo çështje të jetë në mes të Komunës e Ministrisë. Ne ende nuk e dimë se sa hapësirë mund të kërkohet”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se personalisht nuk është që ndërtesa e Spitalit të largohet në periferi të largët.

“Mendoj se duhet të jetë atje ku mund të shkohet edhe me transport publik”, ka thënë Ismaili.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme