Rrustemi: Për të marrë pjesë në zgjedhje, Lista Serbe duhet të dëshmojë se respekton sovranitetin e Kosovës

Rrustemi: Për të marrë pjesë në zgjedhje, Lista Serbe duhet të dëshmojë se respekton sovranitetin e Kosovës

23 April 2019 17:59

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi në “Express Intervistën” në KTV ka numëruar disa arsye se pse po kundërshtojnë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në very.

Rrustemi thotë se Vetëvendosje ka kundërshtuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të diskursit të ashpërsuar të kësaj partie ndaj shtetësisë së Kosovës, madje ai thekson se Lista Serbe nuk kishte asnjë simbol të shtetësisë së Kosovës me rastin e dorëheqjes që kishin bërë kryetarët komunave të veriut në muajin nëntor 2018.

“Kemi kërkuar që dosja e Listës Serbe të shikohet në detaje, pasi nuk është e zakonshme mënyra e dorëheqjes së tyre. E gjithashtu kemi kërkuar që të shikohen në detaje deklaratat e tyre”, thotë Rrustemi.

Rrustemi tutje ka thënë se Lista Serbe duhet të dëshojë se e respekton sovranitetin e Kosovës, e ka kërkuar distancimin e saj nga direktivat e Beogradit.

“Lista Serbe në përgjithësi duhet të dëshmojë nëpërmjet dokumenteve shtesë se a e respekton sovranitetin e Republikës. Dhe s’do të sjellë fushatë më të gjerë të minimit të sovranitetit të Kosovës. Në rastin në fjalë tre kandidatët kishin dhënë dorëheqje derisa luftuar integritetin e sovranitetin e Kosovës. Në shkresat e dorëhqjes Kosovës i referohen si Kosova e Metohija. Këta tre kandidatë nuk mund të jenë të ligjshëm që të kandidojnë për këto zgjedhje për shkak të mohimit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Rrustemi.

Sipas tij, madje në shkresat e tyre nuk kishte asnjë simbol të Republikës së Kosovës.

“Dorëheqjet e tyre u bënë në nëntor. Vetëm kur ne kërkuam këto shkresa ne pamë këto akte të dorëheqjes që nuk kishin asgjë të Republikës së Kosovës. Të katër shkresat janë të njëjta në përmbajtje”, thotë ai.

Tutje ai bën të ditur se në pikën e parë të dorëheqjes së tyre thuhet se kjo është bërë për shkak të taksës “ndaj Serbisë Veriore”.

“Ata ende e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Këto nuk janë deklarata për media por akte të dorëzuara në institucionet e vendit. E përveç këtyre shkresave duhet të sjellim në mendje deklarimet e tyre dhe bashkëpunimet të tyre me Aleksandër Vuçiqin”, thotë Rrustemi.

Vetëvendosje thotë se kjo çështje mund të shkojë edhe në kushtetuese, e Lista Serbe thotë se ka në dispozicion 24 orë që të ankohet në PZAP.

“PZAP-ja mendoj se do të japë verdiktin e saj se këta tre kandidatë nuk mund të kandidojnë. Lista Serbe ka ardhë duke degraduar në qëndrimin e saj anti shtetëror të Kosovës. Lista Serbe do të duhej të përfaqësonte serbët në Kosovë e të njihte pavarësinë e Kosovës. Lista serbe është komplet produkt i dialogut në Bruksel. Lista serbe ka ardhur gjithnjë duke e ashpërsuar diskursin ndaj Kosovës. Ajo bënte thirrje kinse aneksimit të veriut. Ishte ajo që ishte kundër ushtrisë së Kosovës, e ishte një anëtar i saj që i mohoi krimet serbe në Kosovë”, ka thënë Rrustemi.

Tutje ai ka folur edhe për Reformën Zgjedhore.

“Për Reformën Zgjedhore, KQZ-ja nuk ka ndonjë rol, pasi ne vetëm e ekzekutojmë. Kjo përcaktohet nga Kuvendi. Në kuptimin e përgjithshëm të reformës ne nuk kemi ndonjë rol”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme