Një e treta e ekonomisë në informalitet Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Një e treta e ekonomisë në informalitet

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 23 April 2019 07:15

Për gjashtë vjet vetëm për 1 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) ka mundur të zbresë shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë. Ajo mbetet akoma në mbi 30 për qind. E dhëna është prezantuar në draftin e Strategjisë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, dokument që i referohet periudhës 2019-2023.

“Me gjithë reduktimin e masës së ekonomisë joformale prej 1 për qind të BPV-së krahasuar me nivelin e para 2013-s, fenomeni mbetet gjerësisht prezent në Kosovë”, thuhet në draftin e Strategjisë. “Vlerësime të ndryshme të bëra nga institucionet ndërkombëtare për hendekun flasin për një shifër afro 30 për qind e BPV-së”.

Një vlerësim i fundit i financuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2017 kishte gjetur që masa e ekonomisë joformale në Kosovë arrinte deri në 31.7 për qind të BPV-së, nga të cilat më tepër se 8 për qind e BPV-së ishin nga forma të paligjshme të aktivitetit ekonomik. Megjithëse Kosova renditej në këtë vit më mirë se Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, niveli i ekonomisë joformale është dukshëm më i lartë se shumica e vendeve dhe mesatarja evropiane për të njëjtin vit.

Sipas dokumentit, efekti negativ në të ardhurat për buxhetin e Kosovës është i konsiderueshëm në terma të të hyrave nga tatimet direkte dhe indirekte. Hendeku tatimor në tatimin mbi vlerën e shtuar është konstatuar të jetë jo më pak se 33 për qind, në tatimin mbi të ardhurat e korporatave 33 për qind, kurse në tatimin mbi të ardhurat personale 35 për qind.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme