Arbëri

Anëtari i Kryesisë së Nismës akuzohet për punësimin e djalit stomatolog, ky e mohon

Descriptive Text

Bajram Krasniqi nga Malisheva ka përfunduar Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tash e shtatë muaj punon si stomatolog në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Për këtë pozitë, që ai e mban me kontratë mbi vepër, u hap konkurs muajin e kaluar për të cilin edhe aplikoi, raporton KTV.

Por, në këtë vend të punës, sipas Krasniqit, arriti të përzgjidhet Shpend Thaçi pa meritë, djali i Aziz Thaçit, i cili është anëtar i kryesisë së NISMËS dhe stomatolog në QKMF e Malishevës.

Kandidati Bajram Krasniqi thotë se që nga fillimi ky konkurs ishte kurdisje pasi ka pasur parregullsi dhe ishte rezervuar për personin në fjalë.

Krasniqi ka dyshime se edhe pyetjet i janë dhënë para testit kandidatit fitues, i cili sipas tij, ka përfunduar studimet në një kolegj privat dhe ka vetëm 5 vjet studime.

Sipas tij, Aziz Thaçi që ishte edhe kryesues i Kuvendit Komunal të NISMËS në Malishevë, ka të punësuar në po të njëjtën qendër të mjekësisë familjare edhe gruan e vajzën e tij.

Se ka pasur ndikim në punësimin e djalit të tij, e mohon stomatologu Thaçi, që thotë se ai u zgjodh me meritë.

Kryetari i komisionit përzgjedhës, Sabri Badallaj dhe drejtori i kësaj Qendre Mjekësore, Nuhi Morina kanë thënë se Shpend Thaçi , djali i kolegut të tyre është treguar më i suksesshmi dhe për këtë e ka fituar vendin e punës.