Institucionet thonë se nuk ka rrezik nga personat e kthyer nga Siria

K. Kadriu & D. Slivova 22 April 2019 19:11

Disa prej grave të kthyera nga Siria, dyshohet se luftuan krah grupeve terroriste në zonën e luftës.

Të hënën disa prej tyre janë marrë në pyetje nga hetuesia për aktivitetet e tyre në Siri, raporton KTV.

Të kthyerit nga ky vend nuk do të lejohen të largohen nga Qendra për Azil, pa vendim të Gjykatës.

Ministri i Drejtësisë ka konfirmuar se kthimi i tyre u bë me aeroplan ushtarak amerikan.

KTV-ja e ka siguruar dokumentin që tregon që avioni ushtarak amerikan “US Air Force” i ka kthyer kosovarët nga baza ushtarake ajrore ‘Ali Al Salem’ nga Kuvajti, 30 kilometra larg kufirit me Irakun.

Njëra prej 32 grave të kthyera nga Siria, që dyshohet se ishte pjesëmarrëse në grupet terroriste, është marrë të hënën në pyetje nga hetues policorë.

Edhe gjatë së hënës, familjarët vizituan të afërmit e tyre që janë duke qëndruar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll.

Disa të tjerë shkuan aty me shpresën se do të vënë kontakt me familjarët e tyre..

Të premten në mesnatë, janë kthyer 110 kosovarë nga Siria, në mesin e tyre 74 fëmijë, e prej tyre ka që i kanë humbur të dy prindërit në luftë.

Tashmë katër burrave u është caktuar masa paraburgim për pjesëmarrje në grup terrorist dhe në ushtri apo polici të huaj.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në zonën e konfliktit në Siri, vazhdojnë të jenë 30 luftëtarë kosovarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme