Arbëri

Disa gra të kthyera nga Siria po hetohen për pjesëmarrje në grupe terroriste

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë filluar intervistimin e disa grave që janë kthyer të shtunën në mëngjes nga Siria, me dyshimin se ishin pjesëmarrëse në grupe terroriste.

Të shtunën në mëngjes autoritetet e Kosovës të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kthyer 110 persona nga zonat e luftës në Siri, 74 fëmijë, 32 gra dhe 4 persona të rritur që dyshohet se kanë qenë luftëtarë.

Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi ka ardhur në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në fshatin Vranidoll afër Prishtinës, për të mbrojtur një grua e cila dyshohet se ka marrë pjesë në një organizatë terroriste në Siri, dhe që burri i saj ende po qëndron në zonën e luftës në Siri.

Aktualisht, të gjithë të kthyerit po i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe ende nuk dihet kur do të lirohen.

Nga personat e kthyer janë edhe katër militantë të cilët aktualisht janë në paraburgim si të dyshuar për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Naile Arifi nga Prishtina, erdhi në qendër me familjen e saj për të vizituar gruan dhe pesë fëmijët e vëllait të saj i cili ka vdekur në zonat e luftës në Siri para tri vite e gjysmë. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se nuk i ka parë familjarët e saj për pesë vite e gjysmë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.