Drejtorit në Gjilan nuk i pëlqen raportimi i KTV-së, e mbron kryetarin e vet me fjalor banal

Drejtorit në Gjilan nuk i pëlqen raportimi i KTV-së, e mbron kryetarin e vet me fjalor banal

Feim Azemi 21 April 2019 21:45

Ekspozimi që po u bën KTV-ja çmimeve të rrejshme që po i ndahen kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk po i pëlqen njërit prej vartësve të tij deri në masën sa nuk heziton të përdorë fjalë banale e sharje ndaj medias së lirë.

“Ju KTV e hangshit një bagël, sepse gjithçka që merr pozitive LH ju mundoheni me ia humb vlerën…. Pirdhuni”, ka shkruar Korça, një zyrtar publik, me një fjalor tejet të pahijshëm.

Ky reagim i këtij zyrtari komunal në Gjilan erdhi pasi KTV-ja ekspozoi se çmimi me emrin “Nelson Mandela”, që iu nda Hazirit nga e ashtuquajtura Akademia Universale e Paqes Globale e OKB-së, është në fakt një dekoratë e rrejshme.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më parë kishte pretenduar se i është ndarë një mirënjohje nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mirëpo këtë e kishte mohuar Ambasada amerikane në Kosovë.

Lexo edhe: Lutfi Haziri merr edhe një çmim të rrejshëm, të njëjtin e kishte marrë edhe Haradinaj

Koha Ditore ka kontaktuar me drejtorin e Shërbimeve Publike, Naser Korça, i cili ka thënë se nuk është pishman për fjalorin banal të cilin e ka përdorur. Ai ka akuzuar grupin KOHA se është duke bërë raportime të rrejshme. “Pse ju po gënjeni në publik? Fjalori im është në kontekst të gënjeshtrave që sajoni ju dhe portali juaj”, ka thënë ai.

Mirëpo, këshilltarët komunalë të Gjilanit kanë treguar se ky drejtor komunal është i njohur për sjellje të pahijshme edhe ndaj tyre, por edhe ndaj qytetarëve.

Këshilltari komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Riza Abdyli, tha se drejtori Korça duhet të suspendohet ngase ka shkelur kodin e etikës.

“Është shumë normale për të, sepse në çdo vend që është i pranishëm përdor fjalor banal dhe në komitet ka përdorur fjalor të ndyrë. Madje ka pasur edhe probleme me qytetarë. Komuna duhet ta suspendojë këtë, nuk ka tjetër masë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së, e cila qeveris me Komunën e Gjilanit, Avdyl Aliu, ka thënë se nuk përkrah fjalorin e drejtorit, i cili është përdorur në opinion. Megjithatë, konsideron se kryetari i Komunës është fyer nga raportimet e mediumeve të Grupit KOHA, ngase, sipas tij, “ato nuk janë të vërteta”.

“Ne që jemi në këto funksione nuk na takon me përdorë këtë lloj fjalor dhe nuk është në harmoni me funksionet tona. Është edhe ana tjetër, është fyerje që i është bërë kryetarit të Komunës, dhe drejtori ka ra vetëm në nivelin e KTV-së. Ata kanë bërë një fyerje, këta kanë bërë një fyerje tjetër. Drejtori ka folur ma shumë si qytetar, nuk e besoj se ka folur në cilësinë e drejtorit”, ka arsyetuar ai drejtorin.

Ndërkaq, këshilltari komunal nga radhët e Nismës, Enver Hajrullahu, ka deklaruar se zyrtarët komunalë duhet të respektojnë kodin e etikës, dhe se fjalori banal nuk duhet të tolerohet. “Nuk po flas në emër të tij, po flas në emër timin dhe nuk po e gjykoj atë rast, mirëpo nuk duhet të përdoret fjalori banal. Janë kodet dhe nuk guxohet të përdoren fjalët e ndyta qoftë në Kuvend, qoftë diku tjetër si zyrtar”, ka thënë ai.

Nga KTV-ja kanë ripërsëritur se raportimi në fjalë është tërësisht i bazuar në fakte.

“Çmimi më i ri për kryetarin Haziri është dhënë nga një person i cili është ekspozuar si mashtrues nga investigimi i një televizioni italian. Ngjashëm kemi raportuar edhe kur kryetari i AAK-së, tash kryeministër Ramush Haradinaj e kishte marrë të njëjtin çmim. Fjalori i zotit Korça është i papranueshëm për një zyrtar që është pjesë e një institucioni publik, siç është Komuna e Gjilanit”, ka thënë Xhemajl Rexha, kryeredaktor i KTV-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme