Arbëri

Gjergji: T’i mundim sëmundjet e shekullit 21

Në meshën e Pashkëve që u mbajt në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ka ftuar njerëzit që gjithmonë të jenë në kërkim të së mirës, duke i ngjarë shëmbëllesës së njeriut, në mënyrë që të gjejnë Zotin.

Gjergji ftoi në njohjen e asaj që flet krishterimi dhe që njerëzit të njohin dhe të besojnë Zotin.

Ai tha se duhet tejkaluar sëmundjet e shekullit 21, si ateizmi, urrejtja e egocentrizmi. Teksa porositi se njerëzit nuk duhet të ankohen dhe nuk duhet të jenë të pikëlluar, pasi sipas tij, Krishti është alfa dhe omega, apo ndryshe fillimi dhe mbarimi i kësaj jete dhe amshimit.

Duke kujtuar ringjalljen e Krishtit, ai ka ftuar besimtarët e krishterë që pikërisht sot të bëjnë kalimin, duke tejkaluar çdo të keqe, në mënyrë që të ngjallen sot për amshimin e lumtur.

“Sot mos e prit amshimin e lumtur, sepse nuk do të jetë i lumtur, nëse sot ti nuk e bën kalimin. Kaloje e tejkaloje vetveten. Munde në vetvete egoizmin, egocentrizmin, materializmin, i cili po na helmon dhe po na robëron të gjithëve, ateizmin praktik, indiferentizmin, relativizmin, këto sëmundje të shekullit dhe të kohës tonë. Kush mund të na jep përgjigje në të gjitha pyetje, nëse jo Krishti i ngjallur, nëse jo siguria se nëse jetojmë me Krishtin sot, do të ngadhënjejmë jo vetëm sot e nesër, por edhe në amshimin e lumtur. Vëllezër e motra, ju ftoj të gjithëve që të jeni në kërkim të Zotit, si dashuri, si mirësi, si jetë, si falje, i cili jo vetëm se na ka krijuar, por na përcjell në çdo hap në këtë jetë dhe na pret në amshimin e lumtur", ka thënë ai, transmeton kp.

Ndërkohë, ipeshkvi tregoi se çfarë duhet të bëjë njeriu të mund të gjejë Zotin.

“E për ta kërkuar dhe gjetur Zotin, duhet ta kërkojmë njeriun, njeriun në shëmbëllesë të tij, njeriun vëlla apo motër, njeriun që është parafytyrimi i asaj që është Krishti, i cili thotë: ‘çka do që i keni bërë njërit prej më të vegjëlve, ma keni bërë mua’”, tha ai.

Ipeshkvi Don Lush Gjergji, u shpreh se historia është mësuesja e jetës, dhe për këtë ai theksoi se duhet nderuar dhe përkujtuar.