Arbëri

Numri special i “Kohës Ditore” trajton mungesën e barnave në spitalet publike

Mungesa e ilaçeve shëruese në shumicën e institucioneve publike shëndetësore, është kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Shkrimi kryesor me titull “Pacienti blen, spitali “kursen””, flet për premtimet e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila kishte thënë se që nga viti 2015, nuk do të mungojë asnjë bar në spitalet e Kosovës, por ende sot, qytetarët detyrohen që t’i blejnë barnat vetë.

Aty mund të kuptoni edhe për neglizhencën e dy institucioneve për bartjen e buxhetit për barna nga MSH-ja në SHSKUK.

Gazeta sjell edhe arsyetimin e kompanisë për furnizim me material shpenzues. Pse, sipas saj, QKUK-ja mbeti pa dorëza, pasi që nuk ra shi në Kinë?

Në intervistën e javës, flet hulumtuesi i “Demokraci Plus”, Isuf Zejna, sipas të cilit, është shqetësuese se si menaxhohen kontratat e barnave.

Në faqet e së dielës, mund të lexoni edhe reportazhin për shqiptarët nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, të cilët pritën refugjatë nga Kosova gjatë luftës së fundit.

“Gratë dhe fëmijët që s’i do kush” dhe “Uria për informim e një vendi në kaos”, janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.

Në rubrikën ‘kosovarçe’, vjen shkrimi për personin i cili rreth 150 herë ka dhuruar gjak.

Rubrika e kulturës sjell artisten 16-vjeçare, Zala Kravos, e cila është një prej pianisteve të reja më premtuese në Evropë.

Në Monument mund të lexoni për zanatin e xhamaprerësit, zanat ky rrezikon të zhduket, pasi që s’e trashëgon askush.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti, veçohet ai për volejbollisten 14-vjeçare, Armela Llugaliu, e cila është shpallur shpresa e vitit nga Federata e Volejbollit të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.