Pacolli e sjell në Kosovë me aeroplan privat të akuzuarin për krime kundër njerëzimit

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 20 April 2019 19:13

Garda ceremoniale e FSK-së është rreshtuar si zakonisht në pritje të një zyrtari të lartë, i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në Aeroportin e Prishtinës, aeroplani privat i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, e ka sjellë zëvendëspresidentin e shtetit të Kenisë, William Ruto, raporton KTV.

Aeroplani privat i Pacollit nga Frankfurti kishte mbërritur në orën 7, e katër orë më vonë, në Prishtinë kishte zbritur edhe një tjetër aeroplan privat, ky nga Abuja e Nigerisë, shtet me të cilin Pacolli ka lidhje.

Ruto, duket se nuk kishte qenë i gatshëm për një pritje të tillë, teksa në këtë video të siguruar nga KTV bie në sy veshja e tij gati sportive.

Për këtë pritje, Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka bërë asnjë njoftim, derisa për Gardën Ceremoniale, nga ministria e FSK-së kanë konfirmuar se ka pasur një kërkesë nga protokolli i shtetit që ata të jenë prezentë aty.

Vizitën sekrete, jozyrtarisht në MPJ e kanë arsyetuar me faktin se shteti i Kenisë është një prej shteteve më të rëndësishme të Afrikës dhe frikën nga kundër-lobimi i shtetit të Serbisë.

Përveç me ministrin e Jashtëm, në hotelin e të cilit edhe ka qëndruar, Ruto, siç ka marrë vesh KTV-ja, ka pasur edhe takime me liderë të tjerë të vendit, përfshirë kryeministrin Haradinaj, me të cilin janë takuar për kafe.

Nga Kosova, Ruto pritet të largohet gjatë ditës së diel.

Ruto, që synon të udhëheqë me shtetin e Kenisë, përveç karrierës politike, në shtetin e tij është i njohur për disa afera, derisa ka qenë i akuzuar për krime kundër njerëzimit por edhe për mashtrime, akuza për të cilat është shfajësuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme