Arbëri

KRIK: Për vrasjen e Ivanoviqit po hetohet edhe Zvonko Veselinoviq

Foto: Koha

Hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Kosovë është zgjeruar edhe ndaj Zvonko Veselinoviqit e Milan Mihailoviqit, merr vesh KRIK.

Në Prokurorinë e Kosovës kanë pohuar se hetimet janë zgjeruar edhe ndaj dy personave, por aty nuk kanë dashur të tregojnë se për kë bëhet fjalë e as të konfirmojnë se fjala është për Veselinoviqin e Mihailoviqin, sepse, kanë thënë, nuk duan të ndikojnë në hetime.

Prokuroria më 12 prill ka marrë vendimin për zgjerimin e hetimeve ndaj këtyre dy personave, ndërsa ata dyshohen për pjesëmarrje në organizimin e grupeve kriminale, rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara e të personelit ndihmës, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe vrasje të rëndë, shkruan KRIK, transmeton Koha.net.

Oliver Ivanoviq është vrarë në janarin e viti të shkuar para zyrës së partisë së vet në Mitrovicën veriore.

Në muajin nëntor janë arrestuar Nedeljko Spasojeviq, Dragish Markoviq dhe Marko Roshiq, ndërsa si i dyshuar i katërt është Milan Radoiçiqi, kumbar i Veselinoviqit.


Lexoni edhe: 

KRIK: Zvonko Veselinoviq i fotografuar me vëllanë e Aleksandar Vuçiqit


Spasojeviq, hetues policie në veri të Kosovës, nga Prokuroria dyshohet se ka ndihmuar ekzekutorin duke ia lehtësuar ikjen nga vendi i vrasjes me veturë zyrtare të policisë.

Roshiq është nën hetime për shkak të letrës të gjetur në xhepin e Ivanoviqit në të cilën ishin shkruar numrat e tabelës së regjistrimit të xhipit në pronësi të familjes së Roshiqit.

Markoviqi, po ashtu polic nga veriu i Kosovës, mendohet se nga vendi i krimit shënimet ia ka dërguar një zyrtari policor në Serbi.

Spasojeviq dhe Roshiqi janë në paraburgim.