Arbëri

Austria përkrah themelimin e qendrave të testimit elektronik për arsimin në Kosovë

Descriptive Text

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot ambasadorin austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë.

Siç thuhet në njoftimin për media nga ky takim, ministri Hamza veçmas ka përmendur marrëveshjet, tanimë të ratifikuara në Kuvend për pesë komuna të Kosovës, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të tyre si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në financimin e themelimit të qendrave të testimit elektronik për arsimin parauniversitar në Kosovë, ku shteti Austriak ka shprehur gatishmërinë të përkrahë Kosovën në këtë fushë.

Me këtë rast, ministri Hamza theksoi përkushtimin e tij për mbështetjen e këtij sektori, me qëllim të avancimit të arsimit parauniversitar në Kosovë. Sipas tij, përfituesit më të mëdhenj do të jenë të rinjtë e Kosovës, të cilët janë potenciali më i madh në vend. Ai gjithashtu theksoi se Kosova është e gatshme që të krijojë kushte për të arritur marrëveshje me partnerët strategjikë, siç është Austria, për avancimin e arsimit në Kosovë, si një ndër fushat më me prioritetet të Qeverisë.

Ambasadori austriak Gernot Pfandler shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit Austriak për mbështetjen edhe në të ardhmen të institucioneve të Kosovës, veçanërisht gjetjen e mundësive të përkrahjes së projekteve të tilla, të cilat ndikojnë në avancimin e të rinjve si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.