Arbëri

Azemi ngre dyshime për korrupsion në Inspektoratin e Punës

Descriptive Text

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, në “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për mbarëvajtjen e protestës së sotme.

Azemi tha se kërkesat e kësaj proteste kanë qenë të ndryshme, por kryesorja ka qenë paga minimale e caktua me Ligj në Kosovë.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që paga minimale, e caktuar me vendim të ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në 130 apo 170 euro, të rritet në 300.

“Do të ngremë padi për ato kompani që s’e respektojnë ligjin për punëtorin. I kemi njoftuar kompanitë për masat që do t’i marrim, dhe tani Inspektorati i Punës do të merret me çështjet në vazhdim”, ka thënë Azemi.

“Një studim i Institutit ‘Riinvest’ ka zbuluar se 51 për qind nga punëtorët e sektorit privat nuk kanë kontrata pune”, ka theksuar ai.

Azemi ka akuzuar inspektorët e punës se po marrin ryshfet për të mos e kryer punën e tyre, por theksoi se ka edhe mungesë të këtyre inspektorëve.

“Megjithatë, edhe me këtë numër të inspektorëve, nëse do ta kryenin punën si duhet, do të kishim suksese”, ka deklaruar Azemi në “Interaktiv”.

“Shpeshherë, vendimet që i merr inspektorati, kthehen mbrapsht pasi që një X inspektori i del i njohshëm pronari i kompanisë dhe kështu anulohet gjithçka”, shton kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.