O’Conell: Marrëveshja me Serbinë të jetë jo e shpejtë, por e mirë

O’Conell: Marrëveshja me Serbinë të jetë jo e shpejtë, por e mirë

18 April 2019 17:17

Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, ka vizituar të enjten Mitrovicën, me ç’rast ka biseduar me qytetarë dhe të rinj nga të dyja anët e këtij qyteti, për t’u njohur nga afër me problemet dhe sfidat e tyre.

Ai në veri ka qëndruar në selinë e organizatës joqeveritare ‘Activ’, ndërsa në jug në zyret e RTV Mitrovica, ku ka biseduar me nxënës dhe studentë të fushave të ndryshme.

Ambasadori O’Connell potencoi si nevojë shumë të rëndësishme për paqen, komunikimin mes qytetarëve të jugut dhe veriut të këtij qyteti.

Sipas tij, nuk ka arsye që mitrovicasit të ndihen të tensionuar, dhe thirrjet për uljen e tensioneve duhet ta bëjnë si liderët ashtu edhe qytetarët.

“Çdo njeri, çdo individ mund të jap kontributin e vet për paqen e Kosovës, duke krijuar marrëdhënie mes njerëzve. Mendoj se njerëzit e Mitrovicës, në jug dhe veri, kërkojnë të njëjtën gjë, informatat se çka ka ndodhur, transparencë, kjo është shumë e rëndësishme. E di që njerëzit ndjehen të tensionuar por mendoj se nuk ka arsye për të fryrë tensionet. Në fakt është e rëndësishme që jo vetëm liderët, por qytetarët të bëjnë çmos për të zvogëluar tensionet edhe të krijohet hapësirë që të gjithë të flasin me njëri-tjetrin”, ka thënë O’Connell, raporton Kosovapress.

Në lidhje me takimin mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më 29 prill në Berlin, ambasadori britanik tha se është iniciativë shumë e rëndësishme për procesin e ndërmarrë nga ana e qeverive gjermane dhe franceze.

Ai u shpreh se nuk pret marrëveshje finale menjëherë, por se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë këtij viti.

Sipas tij, me rëndësi është që marrëveshja të jetë e mirë, jo e shpejtë, e cila do të forcojë stabilitetin, të jetë në interes të të dyja palëve dhe të ketë përkrahjen e qytetarëve.

“Tash jemi në fazë kur në çdo takim pritet marrëveshje. Mendoj se duhet kohë për një proces të mirëfilltë dhe për të pasur pajtim nga të dy palët për një marrëveshje afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk po presim marrëveshje tash, por mendoj se është iniciativë shumë e rëndësishme e qeverive gjermane dhe franceze…Shpresoj që ka mundësi, ka fokus ndërkombëtar, por çka do të ishte shumë e rëndësishme për ne, që marrëveshja të jetë e mirë, jo e shpejtë, të forcojë stabilitetin, të jetë në interes të të dyja palëve edhe të ketë përkrahjen e qytetarëve”, theksoi O’Connell.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme