PD hyn në zgjedhje nëse plotësohen kushtet për zgjedhje të lira, thotë Basha

PD hyn në zgjedhje nëse plotësohen kushtet për zgjedhje të lira, thotë Basha

18 April 2019 15:54

Opozita pritet të vendosë sot për vazhdimësinë e protestave të saj. Në mesdite në selinë blu është mbledhur Kryesia e PD-së dhe grupi i ish-deputetëve. Nga burime brenda mbledhjes mësohet se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i propozoi kryesisë marrjen e 3 vendimeve të rëndësishme. I pari është që Partia Demokratike të regjistrohet në zgjedhje, vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas Bashës, situata aktuale politike në Shqipëri nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi është provuar se qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave. Pika e dytë që Basha i ka paraqitur për miratim Kryesisë është që Partia Demokratike të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Po ashtu Kryesisë së PD-së i është kërkuar të mandatojë kryetarin e partisë dhe sekretarin e përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve. Mbledhja e Kryesisë dhe ish-deputetëve të PD vijon ende, ndërsa në orët e pasdites së sotme do të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së./abcnews.al

Komentet

Shto koment

Të ngjashme