Ministri Gashi kërkon të hartohet një ligj që përkon me kërkesat e të rinjve

Ministri Gashi kërkon të hartohet një ligj që përkon me kërkesat e të rinjve

18 April 2019 13:18

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë sot prezantimin dhe diskutimin e projekt-ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Në këtë prezantim, pas diskutimeve të bëra rreth këtij drafti, u dhanë edhe rekomandime.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në këtë takim u shpreh se Ligji për Rini medoemos kërkon ndryshime dhe plotësime.

“Ka kaluar më shumë se një dekadë që kemi në fuqi një ligj për rini. Besoj se ka ardhur koha që ta kemi një ligj të ri që i përshtatet nevojave dhe kërkesave të të rinjve. Gjatë takimeve me të rinj anekënd Kosovës është atakuar si problem kufizimi i moshës në ligj dhe besoj se ky ligj do ta definojë këtë kërkesë të të rinjve”, tha ai.

Gashi theksoi se në ligjin e ri duhet të kemi tri fokuse, përcaktimi i moshës, fuqizimi i mekanizmave rinor dhe përcaktimi i qartë rolit të tyre dhe njohja e punës vullnetare si përvojë e punës.

“Një çështje që është shumë me rëndësi, është ajo e mekanizmave rinorë në Kosovë që janë Këshilli i veprimit qendror të Kosovës, këshillat lokal nëpër komuna, qendrat e rinisë dhe organizatat rinore. Është mirë që me këtë plotësim dhe ndryshim të përcaktohen qartë mekanizmat rinorë në Kosovë dhe përgjegjësitë e tyre sepse këshillat e veprimit rinor lokal nuk e kanë kryer misionin e vet për çka janë themeluar, nuk e kanë luajtur rolin këshillëdhënës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu përmendi si shumë të rëndësishme fuqizimin e qendrave rinore sepse siç tha ai aktualisht nuk janë duke funksionuar, nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri.

“Ajo që po ashtu ka me qenë kërkesë dhe fokus në këtë ligj është puna vullnetare. Në Kosovë ka problem të madh me të rinjtë që aplikojë për vende të punës sepse kërkesa e parë është përvoja e punës. Prandaj ligji duhet të përcaktoj qartë që çdo i ri dhe e re që bën punë vullnetare duhet t’i njihet si përvojë e punës. Besoj se tashmë e kemi edhe një platformë të mirë të regjistrimit të vullnetarëve dhe përmes kësaj platforme të përcaktohet qartë puna vullnetare duke respektuar çdo rregull dhe çdo kriter të përcaktuar me akte tjera nënligjore”, u shpreh ministri Gashi.

Në fund, ministri tha se nuk do të mungojë mbështetja e tij dhe e kabinetit ndaj grupit punues duke ua bërë me dije se është përgjegjësi e tyre për ta bërë një ligj jo sa për sy e faqe por një ligj që përkon me kërkesat e të rinjve.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Feim Hoxha, tha se dokumenti i strategjisë tani më ka marrë formën finale dhe gjatë këtyre ditëve ky dokument do të procedohet te ministri për aprovim.

“Duke marrë parasysh që Ligji për Rini është një ligj i cili është aprovuar në vitin 2009 dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga ajo kohë deri tani, na ka shtyrë që ne të fillojmë iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Ne do të mundohemi që gjatë vitit ligji të kaloj në qeveri”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme