Vetëvendosje adreson keqpërdorimin e parasë publike nga “PANQeveria” Foto: Koha

Vetëvendosje adreson keqpërdorimin e parasë publike nga “PANQeveria”

Edona Kutleshi Edona Kutleshi 18 April 2019 13:09

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar raportin vjetor financiar të Qeverisë për vitin 2018 të publikuar së fundi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka thënë se ky raport dëshmon se keqpërdorimit e kësaj Qeverie po shtohen çdo ditë e më shumë. Këtu ajo ka përmendur shpenzimet e Qeverisë në udhëtime zyrtare, në dreka e darka, në paga të të punësuarve me kontrata mbi vepër e shumë shpenzime tjera, transmeton Koha Ditore.

Nagavci ka thënë se më e keqja është se nuk ka asnjë tendencë nga kjo Qeveri për ta përmirësuar situatën ekonomike në vend.

"Qeveria po përpiqet këto ditë që pasukses të demantojë të dhënat se janë zvogëluar vendet e punës e që nuk qëndron edhe pse gjendja e ekonomisë po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në raport shihet se nuk është rritur numri i bizneseve e që do të ndikonte në rritjen e vendeve të punës. Asnjë biznes i madh e i ri nuk u regjistrua vitin që lamë pas por ndoshta Qeveria i është referuar rritjes së vendeve të punës me stërngarkesën që po i bëjnë Telekomit, bordeve dhe ndërmarrjeve publike apo në ministritë e ndryshme”, është shprehur Nagavci.

Ajo i ka ftuar Policinë e krimeve ekonomike që të hulumtojnë raportin vjetor financiar dhe të shohin mënyrën se si Qeveria i ka shpenzuar paratë vitin e kaluar.

Ndërkaq, Edison Jakurti nga Vetëvendosje ka thënë se është shqetësuese se si kjo Qeveri vazhdon të besojë se tempo e rritjes ekonomike përshpejtohet falë rritjes së konsumit pa e shtuar numrin e vendeve të punës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme