Arbëri

LVV: Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve, dhunimet seksuale nga kriminelët serbë të dalin para drejtësisë

Në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari Albin Kurti, nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mullhaxha Kollçaku, përfaqësuesja në KQZ dhe drejtuesja e sekretariatit të gruas Nazlie Bala, deputetja Saranda Bogujevci, deputeti Sami Kurteshi dhe anëtari i Kryesisë Arben Vitia takuan dhe bashkëbiseduan me Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e guximshme që i mbijetoi tmerrit të luftës dhe heshtjes së pasluftës.

Në njoftimin e LVV-së, thuhet se një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë.

“Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave. Ndërkohë, për asnjë rast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Këtë brengë të drejtësisë rindau Vasfije Krasniqi Goodman. Drejtësia për ta dënuar krimin dhe kriminelin ka munguar”, thuhet në njoftim.

Institucionet e vendit, u tha tutje në takim, duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë.

“Thirrja e Vasfijes është thirrja e 20.000 grave dhe vajzave të dhunuara. Thirrja e Vasfijes është thirrja që i jep zë dhimbjes. Një forcë dhe guxim i jashtëzakonshëm duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë zë dhimbjes, duhet forca dhe guximi i të vërtetës dhe të drejtës. Lëvizja Vetëvendosje mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjell drejtësi”, thuhet në fund të njoftimit nga LVV.