Arbëri

Haradinaj: Të mos lejojmë që brezat tjerë të flijohen për lirinë që është fituar njëherë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri sot homazhe për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te përmendorja e Zahir Pajazitit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me këtë rast, Haradinaj tha se sot i janë bashkuar nderimeve për 99 dëshmorët e Prishtinës, 79 prej të cilëve janë nga lufta e UÇK-së, e 20 të tjerë të rënë në periudha të ndryshme historike.

“Në ditën e sotme përkujtohen masakrat në Makoc, Beteja në Marec, të rënët për liri. Jemi dëshmitarë se edhe dje ishte përkujtimi në Poklek dhe gjithë këto ditë janë të mbushura me ngjarje, që e shënojnë sakrificën e Kosovës dhe të popullit të saj për liri”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se gjatë nderimit ballafaqohen me realitetin, ngase ka varre që nuk janë të përfunduara, e ka shumë punë që i presin, por kryesorja që duhet ta kenë parasysh, është që këto flijime, të rënët për liri, të zënë vend, që të jenë brezi i fundit dhe të mos ketë më.

“Kjo do të thotë që, kujdesi ynë ndaj përgjegjësive që i kemi, duhet të jetë në nivel dhe të mos lejojmë që brezat tjerë të flijohen për këtë që është fituar njëherë, për këtë liri, këtë tokë dhe këto të drejta”, tha Haradinaj.