Ahmeti e Pantina thonë se PSD-ja e ka prioritet luftimin e korrupsionit

Ahmeti e Pantina thonë se PSD-ja e ka prioritet luftimin e korrupsionit

Fitim Gashi Fitim Gashi 18 April 2019 12:11

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe deputetja e kësaj partie Shqipe Pantina, në një konferencë për media deklaruan se luftimi i korrupsionit është prioriteti kryesor i Partisë Socialdemokrate.

Ahmeti, i pyetur rreth punësimeve të PSD-s në përbërjen e delegacionit shtetëror, tha se as ai, as askush nga PSD nuk ka marrë asnjë cent nga buxheti i Kosovës.

"Unë nuk e kam asnjë familjar të punësuar, për më shumë i kam lajmëruar të gjithë të afërmit kur jam bërë kryetar. U kam thënë as mos aplikoni, nuk du me pa as kandidatë. Në Bankën Botërore, më kanë pyet a e ke dikë të afërm se s’ke mujt me punu. Nëse dikush e ka zbulu sot. Nëse dikush e ka zbulu se Visar Ymerin e kam djalë teze është e padrejtë edhe poshtërsi. Kur kam hy në politikë, Visari ka qenë në Vetëvendosje, unë në FER, kemi qenë kundërshtarë", ka thënë Ahmeti në konferencën e partisë, ku bashkë me Shqipe Pantinën folën për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporton Koha Ditore.

Ahmeti tha se të këqijat po vijnë si pasojë e lartë e nivelit të korrupsionit.

“Punësimet, emërimet politike, tenderomania... Nëse flasim për largimet e qytetarëve, nënkuptojmë se një përqindje e parasë publike nuk ka shkuar në vendin e duhur. Lufta kundër korrupsionit të jetë prioritet. Të krijohen sisteme që parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin. Transparenca radikale për luftë kundër korrupsionit. Nuk ka asnjë dokument apo faturë që nuk e publikojmë në komunën e Prishtinës. Çdo zyrtar i komunës së Prishtinës mendon dy herë kur e bën një shpenzim sepse e dinë që ajo publikohet dhe bëhet lajm. Nuk do të thotë që e kemi çrrënjos krejt por nuk kemi pasur asnjë aferë korruptive, edhe pse hetime janë bërë vazhdimisht”, tha tutje ai.

Ndërsa Shqipe Pantina, tha se korrupsioni është shkaktar që po i pengon investimet, përmirësimet në shëndetësi.

“Këto parti në pushtet edhe LDK kur ka qenë nuk kanë strategji si ta luftojnë korrupsionin. PSD është duke hartuar një strategji më të detajuar për ta luftuar dhe parandaluar korrupsionin. Organizimi i procesit të vetingut, duke larguar gjyqtaret e prokurorët e korruptuar. Duhet të ketë transparencë radikale në proceset gjyqësore, ku do te vlerësohej puna e secili prokurorë dhe gjykatës. Platformë online ku publikohen emrat që rekrutohen në sistem të drejtësisë, publikimi i të gjitha kontratave të tenderëve publikë”, tha Pantina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme