Liria e medias në Shqipëri zbret për 7 vende, manipulohet në favor të qeverisë

Liria e medias në Shqipëri zbret për 7 vende, manipulohet në favor të qeverisë

18 April 2019 12:11

Shqipëria zbret me shtatë vende në indeksin botëror të lirisë së medias, gjatë vitit 2018.

Në raportin “Reporterët pa Kufij” Shqipëria renditet në vendin e 82-të, ndërsa kanë listuar po ashtu një sërë problemesh që ndesh aktualisht gazetaria në Shqipëri.

Sipas raportit, media sulmohet vazhdimisht nga qeveria dhe krimi i organizuar dhe synojnë t’i frenojnë nga investigimi i korrupsionit.

“Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë më 2018.

Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit.

Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët ‘kazan’ dhe prodhues lajmesh të rreme.

Kryeministri ka propozuar një ligj që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe, siç thonë kritikët, të kufizojë aksesin tek lajmet dhe informimi.

Një raport i përbashkët i publikuar nga ‘Reporterët pa Kufij’ dhe BIRN, në mars të vitit 2018, nxori në pah një numër kërcënimesh që i janë bërë medias në Shqipëri.

Raporti gjeti se standardet rregullatore të medias po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe pronësia e mediave televizive është përqendruar në duart e pak biznesmenëve të mëdhenj.

Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale”, thuhet në raportin “Reporterët pa Kufij”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme