Arbëri

Proces i ndërlikuar deri te statusi i viktimës së dhunës seksuale

Foto: Koha

Shteti i Kosovës ia ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale Pranverës nga Gjakova, 19 vjet pasi që ajo ishte përdhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Pranvera (identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) për shumë vite është shfrytëzuese e ndihmës psiko-sociale, të cilën ia ofron shoqata “Medica Gjokova” nga qyteti i Gjakovës.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, pas gjashtë muajsh pritjeje, asaj i është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale. Rrjedhimisht, ajo e ka fituar edhe të drejtën për pension prej 230 eurosh.

“E kam marrë pensionin prej shtatorit. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse jetoj nga ai pension dhe i rris dy fëmijët e mi. Por, e rëndësishme është që na është njohur statusi i viktimës seksuale. Jam e kënaqur që e kemi mbështetjen e shoqatës, por tash edhe të shtetit. E kemi përkrahjen edhe nga familja, por më së shumti nga organizata. Por, për ne, para së gjithash, është e rëndësishme që ata që e kanë bërë këtë krim, të ballafaqohen me drejtësinë”, thotë Pranvera për Radion Evropa e Lirë.

Panvera shpreson që edhe grave të tjera, të cilat kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, sa më parë t'iu pranohet statusi.

Çështja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka qenë temë tabu deri në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës ka vendosur që viktimave të dhunës seksuale t’iu rregullohet statusi me ligj dhe t’iu mundësohen përfitime të caktuara, e ndër të tjera edhe pensioni.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.