Arbëri

Hoxhaj: Serbia nuk ka synim BE-në por ta dominojë rajonin në stilin rus

Ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë dhënë mediumit kroat Hina, ka thënë se Serbia nuk ka për qëllim t’i bashkohet BE-së, por qëllimi i saj është ta dominojë Evropën juglindore duke shkaktuar tensione konstante me vendet fqinje, duke përfshirë Kroacinë.

“Serbia në stilin rus dëshiron ta krijojë një sferë të ndikimit në rajon duke demonstruar rolin dhe fuqinë e saj në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Republika Srpskas, në Kosovë përmes popullatës serbe në veri, në Mal të Zi dhe po ashtu në Maqedoni, madje duke nxitur tensione të vazhdueshme edhe me Kroacinë”, ka thënë Hoxhaj për Hina.

Ai ka thënë se Serbia nuk e do anëtarësimin në BE për shkak të situatës së brendshme politike të saj dhe nuk është e gatshme për një proces të tillë. “Për shkak të situatës në BE, Serbia po mundohet ta rivendosë rolin e saj në mënyrë që ta dominojë rajonin”, ka shtuar Hoxhaj.

Kosova nuk beson se do të shpërthejë luftë e re në Ballkan, pas konflikteve të përgjakshme të viteve ’90 të cilat kulmuan me intervenimin e NATO-së në Kosovë në vitin 1999.

“Nuk mendoj se do të shpërthejë ndonjë konflikt më i gjerë apo luftë, mirëpo është një luftë informacionesh që Beogradi ka nisur ta bëjë në rajon, në stilin rus”, tha Hoxhaj. Sipas Prishtinës zyrtare, normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës, gjë të cilën tashmë e kanë bërë 113 shtete, shkruan Hina.hr.

“Të gjitha shtetet e dinë, e edhe Beogradi e di se në fund të këtij procesi të dialogut ata duhet ta njohin Kosovën. Ky është vetë qëllimi i dialogut, pa të cilin ky dialog do të ishte fare i padobishëm”, ka thënë krye diplomati Kosovar Hoxhaj për Hina.

Shteti më i ri i Evropës ka festuar përvjetorin e nëntë të pavarësisë, të premten që shkoi, duke shënuar 17 shkurtin e vitit 2008 si ditën kur me mbështetjen e Perëndimit Kosova e shpalli pavarësinë, të cilën Beogradi ende nuk e ka njohur, shkruan Hina.

Normalizimi i marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011 dhe po shënon progres të ngadaltë me tensione të kohëpaskohshme, sikurse ato në mes të janarit, kur Beogradi tentoi ta fuste në Kosovë një tren me mbishkrime “Kosova është Serbi”, hyrjen e të cilit e ndaloi Policia e Kosovës, përcjell portali Vecernji.