Arbëri

Krasniqi: Mos të ketë negociata pa pasur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

E mbijetuara e dhunës seksuale, dhe ajo që vitin e kaluar rrëfeu publikisht krimin e dhunimit seksual nga forcat serbe, Vasfije Krasniqi-Goodman ka promovuar edhe shoqatën ‘Drejtësi për të Gjithë’ e cila është themeluar me iniciativë të saj.

Ka bërë thirrje që të mos ketë negociata pa u kërkuar drejtësi për gjithë këto viktima.

"Tash më nuk dua të flas për rastin tim, dhe nuk e kam lehtë me përsërit. Unë dua të flas për jo drejtësinë. Nuk ka qenë lehtë të kërkoj drejtësi si 17 vjeçare te UNMIK-u. Unë tashmë jam anëtare e KRCT-së, jam avokate jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Unë iu kisha lut për përkrahje për t’u arritur drejtësia. Unë për rastin tim do të shkoj në Kongresin Amerikan. Nuk duhet të ketë negociata pa pas drejtësi për krimet që janë bërë në Kosovë", tha ajo, transmeton ksp. 

Ajo ka përmendur edhe rastin e një të dhunuare, e cila ka përjetuar dhunimin për herë të dytë nga bashkëshorti i saj, për shkak të asaj që i kishte ndodhur nga forcat serbe.

Drejtori i kësaj organizate, vëllai i Vasfijes, Nafi Krasniqi tha se në këtë organizim kanë premtuar se do të jenë pjesë edhe shumë përfaqësues të institucioneve, të cilët mungonin për çka thotë se zhgënjimi po vazhdon edhe pas 20 viteve.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se përmes kësaj shoqate do të dokumentohen dhe hulumtohen krimet qe janë bërë në Kosovë.

"Rastësisht kjo ditë po shënon një datë të veçantë. Sot tri vite e kemi inauguruar edhe qendrën promovuese në Drenas. Ne sot po e përmbushim edhe një hov tjetër. Përmes një organizate që kanë synim drejtësinë për të gjithë”, tha Rushiti.

Valon Murati, ekspert i çështjeve për të drejtat e njeriut tha se ndaj këtyre viktimave është bërë një krim dhe tri padrejtësi.

"Jemi duke jetuar 20 vjetorin e luftës, por ende jo me atë që ka vendosur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale. Është një kategori e viktimave qe drejtësia po u vonohet. Një krim dhe tri lloj padrejtësish janë kryer ndaj tyre. Padrejtësitë janë bërë brenda familjeve tona, shoqëria, dhe Serbia. Me deklarimin e Vasfijes dhe kurajon e familjes, e vërteta e këtyre krimeve publikejjo vetëm në Kosovë po në tërë botën",tha Murati.