Policia identifikon 23 lypës në Prishtinë, apelon të mos u jepet lëmoshë fëmijëve në rrugë

Policia identifikon 23 lypës në Prishtinë, apelon të mos u jepet lëmoshë fëmijëve në rrugë

16 April 2019 15:15

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar 23 persona lëmoshëkërkues gjatë operacionit policor të zhvilluar të hënën në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë me qëllim largimin e personave/fëmijëve lëmoshëkërkues nga rrugët, verifikimin e situatës së tyre nëse të njëjtit janë viktima të trafikimit si dhe ofrimit të mbrojtjes e asistencës për ata fëmijë.

Sipas një njoftimi, nga 23 persona që janë identifikuar, nëntë prej tyre ishin fëmijë.

Policia ka thënë se pas verifikimit të situatës së tyre nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka iniciuar katër raste për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe është ngritur kallëzim penal ndaj pesë të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve.

Të gjithë fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS-së për trajtim të mëtutjeshëm, ka njoftuar policia.

Në fund, Policia ka apeluar te qytetarët të mos u japin lëmoshë fëmijëve nëpër rrugë, “sepse me atë veprim vetëm të njëjtit stimulohen për të kërkuar lëmoshë dhe kjo i dëmton ata fëmijë”.

“Humaniteti qytetar mund të shprehet në shumë forma tjera”, thuhet në apelin e Policisë.

Krahas këtij apeli është publikuar edhe një video e disa rasteve të identifikuara, ku shihet një nga lëmoshëkërkuesit që rrinte zbathur në sheshin e Prishtinës, e në çantë kishte këpucët.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme