Shemsi Kurti nga Mitrovica udhëton në Kukës për të falënderuar familjen Korbi për mikpritjen

Arbnora Luta Arbnora Luta 15 April 2019 19:15

Shemsi Kurti tregon kujdes të veçantë ndaj traktorit që ende e mban në oborrin e shtëpisë në Mitrovicë.

Kurti kishte qenë vetëm 13 vjeç, në prill të 1999-s kur ishte detyruar ta ngasë atë rrugëve pa ndonjë destinacion të caktuar, por duke përfunduar në Kukës, raporton KTV.

Kurti, rrugën për në Kukës po e bën sërish, por për një arsye krejt tjetër.

Në kushte lirie, ai është nisur për të takuar sërish familjen Korbi, që dy dekada më parë i hapi dyert për familjen e tij.

Takimin me ta gjithmonë e përcjell një emocion mirënjohjeje për mikpritjen dhe mundin e pakursyer të familjes Korbi.

Baftjar Korbi, ditën kur e kishte takuar familjen e Kurtit, e kujton si ditën më interesante të jetës së tij.

Banorët e Kukësit i hapën dyert edhe për shumë familje të tjera kosovare gjatë luftës, kur forcat ushtarake me dhunë i detyruan që ta braktisin vendin.

Më 15 dhe 16 prill shënohet 20-vjetori i “Eksodit `1999”, ku pjesa dërmuese e kosovarëve ishin larguar në këmbë për në Shqipëri.

Një manifestim për të kujtuar largimin me dhunë të kosovarëve, do të mbahet të martën edhe në Kukës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme