KMSHK e sheh të nevojshëm ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Medieve

KMSHK e sheh të nevojshëm ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Medieve

15 April 2019 14:07

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit teknologjike, sidomos në fushën e medieve online, shpeshherë është diskutuar për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili paraqet “Kushtetutën” e rregullimit të medieve të shkruara në Kosovë.

Në kohën kur është përpiluar ky Kod, për bazë është marrë gazetaria e shkruar klasike e botuar në gazeta ditore e ato periodike, megjithëse rregullat e një gazetarie etike janë të aplikueshme për të gjitha mediet si audiovizuele ashtu edhe ato të shkruara, ekziston nevoja e pa mohuar që të shtohen pikat që rregullojnë fushën e medieve online siç është publikimi i audio e video incizimeve në portale.

Duke u nisur nga këto Këshilli i Medieve organizoi sot tryezën për diskutimin e Kodit të Medieve si nevojë për ndryshimin dhe plotësimin e tij.

Imer Mushkolaj, kryetar i Kuvendit të Këshillit të Medieve të Shkruara në Kosovë, tha se Kodi përfshin të gjitha fushat në punën e gazetarisë.

“Kodi duhet të respektohet nga mediet dhe gazetarët. Këshilli merr vendime bazuar në Kod”, tha Mushkolaj duke shtuar se çështjet specifike janë të përfshira në kod, mirëpo duhet shikohet mundësia për plotësim dhe ndryshimin e tij.

Florent Spahija, këshilltar ligjor i KMSHK-së, tha se për shkak të ankesave të mëdha, është me rëndësi të rregullohet edhe çështja për sinjalizues. Ai tha se mediet duhet të kenë kujdes si ta trajtojnë sinjalizuesin, ngaqë ligji është mjaft i rregulluar mirë.

Ndërsa, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medies, tha se KMSH ka vendosur të ndryshojë Kodin. Ajo tha se deri më tash për video e publikuara në mediet online nuk ka qenë e rregulluar me Kodin e Medieve të Shkruara.

“Ndryshimi i parë në Kod ka të bëjë për publikimin e videove (me kod do të rregullohet kjo çështje, meqë nuk ka qenë e rregulluar deri tash kjo për videot). Ndryshimi i dytë ka të bëjë me mos përfilljen e gjykatës nga mediet, dhe nëse nuk përfillet kjo konsiderohet se është vepër penale”, tha Kusari.

Për këto ndryshime dhe propozime, pritet që pas një muaji të futen në kod, transmeton ksp.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme