Arbëri

Krasniqi: Dialogu Kosovë-Serbi ka lënë në hije tema të rëndësishme për qytetarët

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ftuar në emisionin “Express Intervista” në KTV, ka folur për publikimin që ka bërë KDI-ja lidhur me opinionin publik për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Krasniqit, në opinionin e publikuar del se 34.8% e qytetarëve nuk besojnë që ekipi dialogues do të mbrojë interesat e qytetarëve në dialogun Kosovë-Serbi, ndërkaq 34% besojnë që ekipi do të mbrojë interesat e tyre.

Duke u bazuar në rezultatet e këtij hulumtimi, ajo thotë se 32% e qytetarëve kanë shprehur qëndrimin e tyre se marrëveshja duhet të arrihet këtë vit. Sipas Krasniqit, kjo përqindje qëndron pasi që qytetarët janë lodhur nga ky proces, sepse si pasojë e dialogut shumë tema të tjera që ndërlidhen drejtpërdrejtë me jetën e tyre janë anashkaluar.

“34.8% e qytetarëve nuk besojnë që delegacioni shtetëror do të mbrojë interesat e qytetarëve, 34% besojnë që delegacioni do të mbrojë interesat e tyre ndërkaq 28.2% janë shprehur që nuk e dinë nëse duhet t’i besojnë ekipit dialogues. Preferenca e qytetarëve është që këtë vit të arrihet marrëveshja. Kjo mund të interpretohet se qytetarët janë të lodhur nga ky proces sepse shumë procese tjera jetike janë duke u anashkaluar nga dialogu”, ka thënë ajo.

Krasniqi ndër të tjera e ka parë si qenësore përfshirjen e LDK-së dhe VV-së në procesin e Dialogut duke thënë se edhe qytetarët e përkrahin një gjë të tillë.

Sipas saj, spektri politik në vend duhet të ketë një qëndrim të përbashkët për Dialogun, në mënyrë që të mos marrë rolin e palës destruktive, pasi që sipas saj ky është qëllimi i Serbisë.

“Në Kosovë nuk ka pasur konsensus politik në atë se si duhet të ecet përpara për Dialogun. Ne jemi marrë shumë se kush duhet ta udhëheqë Dialogun dhe pak se çfarë tema duhet të trajtohen”, ka thënë Krasniqi. “Ne nuk kemi qëndrim unik, spektri politik duhet të ketë qëndrim të përbashkët dhe të rreshtohet pas atij qëndrimi. Palët edhe sikur të kthehen në tryezën e diskutimit nuk do të thotë se do të arrijnë një marrëveshje mirëpo pala kosovare duhet të ketë qëndrim të përbashkët qe të mos marr rolin e palës destruktive, sepse këtë po mundohet ta bëjë Serbia”, ka thënë ajo.