Pacolli: Duhet t’i zgjidhim problemet e trashëguara me Serbinë

Pacolli: Duhet t’i zgjidhim problemet e trashëguara me Serbinë

12 April 2019 15:39

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mori pjesë në sesionin plenar të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Varshavë nën bashkëdrejtimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Jacek Czaputoëicz dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Në këtë sesion, Pacolli theksoi progresin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve me fqinjët tanë, si dhe nevojën e zgjidhjes së problemeve të trashëguara me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

“E vetmja rrugë para për rajonin është komunikimi i lirë dhe i mirë mes qytetarëve tanë, andaj Republika e Kosovës është e përkushtuar që të gjejë zgjidhje për të lehtësuar këtë proces”, deklaroi Pacolli, thuhet në njoftimin për media të kësaj ministrie

Kryediplomati kosovar foli edhe për nevojën e lëvizjes së lirë, pa viza, të qytetarëve të Kosovës në Bosnje Hercegovinë dhe në Zonën Schengen.

Në këtë sesion po marrin pjesë edhe përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Austrisë, Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim./KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme