Zhiviq priti përfaqësuesit e projektit “AGRO” të USAID-it

Zhiviq priti përfaqësuesit e projektit “AGRO” të USAID-it

12 April 2019 15:33

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, ka pritur sot përfaqësuesit e projektit të USAID-it për bujqësi “AGRO”, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, në kuadër të këtij projekti.

Përmes një njoftimi për media nga kjo Ministri, bëhet e ditur se ministrja Zhiviq i ka njoftuar ata edhe me programet e Ministrisë për zhvillimin e bujqësisë, si dhe për prioritetet për këtë vit, dhe ka ritheksuar se do t’i japin prioritet kryesor efikasitetit në implementimin e programeve mbështetëse për fermerët dhe agrobizneset.

Ajo ka vlerësuar Marrëveshjen e mirëbesimit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në vend, e cila është nënshkruar vitin e kaluar në mes MBPZHR-së dhe Misionit të USAID-it, përmes të cilës është krijuar një program i veçantë për mbështetjen e zinxhirit të vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ajo ka treguar për gatishmërinë e saj për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me USIAD-in për implementimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të sektorit të bujqësisë.

Në anën tjetër, Besa Ilazi, përgjegjëse e programit “Agro” të USAID-it, e ka njoftuar ministren më gjerësisht për ecurinë e projekteve të përbashkëta, si dhe për rezultatet e arritura nga implementimi i projekteve bujqësore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme