Arbëri

Shtëpitë e mohuara

Dikur ndërtesë burgu, tash shërben si shtëpi banimi për familjen e Florentina Mehmetit.

Familja Mehmeti tash e rreth 8 vjet, ka gjetur strehim në burgun e Gurakocit të Istogut.

Bashkëshorti i Florentinës kur vendosi të jetonte vetëm me gruan dhe fëmijët nuk arriti ta trashëgonte pronën e përbashkët me vëllezërit për shkak se nuk ishte në emrin e tyre, raporton KTV.

Probleme me uzurpim të pronës ka edhe familja Çakolli që gjithashtu jeton në këtë ndërtesë.

Aktualisht të vendosura në ish-burgun e Gurrakocit janë 13 familje të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Por, as këto nuk e kanë të sigurt strehën këtu.

Vetëm në Komunën e Istogut janë rreth 7mijë e 500 ndërtime pa leje nga ky komunitet, nga to vetëm 15 raste janë që kanë aplikuar për legalizim.

Mungesa e dokumenteve përkatëse pronësore dhe pronat e uzurpuara janë sfidat kryesore që ballafaqohen komunitetet rom, ashkali, egjiptian në Kosovë.

Shumë familje që ishin larguar nga Kosova në kohën e luftës, kur ishin kthyer, shtëpitë e tyre i kishin pasur dyert e mbyllura për ta.

Shtëpitë e tyre janë uzurpuar e riuzurpuar nga komuniteti shumicë.

Por, Gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë statistika dhe nuk kanë të dhëna të veçanta për këtë problem.

Përgjithësisht, janë në total mbi 11 mijë raste të kontesteve pronësore nëpër Gjykatat e Kosovës.

Raste të pengimit të posedimit janë 726, derisa për vërtetim të pronësisë janë 9 mijë e 177.

Ndërsa, raste-konteste lidhur me largimin nga shtëpia apo banesa janë 433.

Por, Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se këto raste kanë qenë sfiduese edhe për gjyqtarët.

Numri i vogël i gjyqtarëve dhe mbingarkesa e gjykatave me lëndë ka ndikuar edhe në zvarritjen e rasteve të komuniteteve pakicë që kanë të bëjnë me pronat.

Gjatë procesit të monitorimit, Avokati i Popullit ka vërejtur se ka shumë mangësi në proceset gjyqësore.

Në raportin vjetor të 2017-s, Avokati i Popullit ka dhënë disa rekomandime që mund të ndihmonin problematikën pronësore të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian.

Kryesore, sipas këtij institucioni do të ishte i inicimi i Ligjit për formën e parandalimit apo kompensimit lidhur me ankesat për zvarritje të procedurave gjyqësore.

Banorët përveç që nuk kanë qasje në pronat e tyre, u duhet të paguajnë qira dhe me të edhe shpenzime shtesë gjatë kohës sa jetojnë aty, siç është tatimi në pronë.

Me qira janë duke jetuar rreth 37 familje të komuniteteve rom e ashkali në fshatin Plemetin të Komunës së Obiliqit.

Pak metra nga kjo hapësirë, ata kanë blerë nga dy ari tokë.

Qamil Gashi tregon se vëllai i tij e bleu pronën me shpresën se aty do të ndërtojë një shtëpi.

Kështu vepruan edhe familjarët e tjerë para dy vjetësh kur u kthyen nga Shkupi, pasi kishin marrë premtime nga donatorë të ndryshëm për ndërtimin e shtëpive.

Në mungesë të dokumenteve kadastrale, banorët nuk po mund as t’i legalizojnë pronat.

Në Fushë Kosovë, jetojnë rreth 5 mijë banorë të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian por mbi 95 % e tyre ende nuk kanë mundur të vërtetojnë pronësinë.

Ndonëse jeton me vjet aty, Rexhep Hiseni tregon se shkaku i kësaj të kenë pasur problem edhe me ndërtimin e shtëpive të tjera kur familja është rritur.

Banorët për këtë kanë kërkuar nga Komuna e Fushë Kosovës lehtësim të procedurave.

Ata tregojnë se tokën e kanë blerë nga pronarë serbë, dhe tani disa nga ta kanë vdekur e të tjerë nuk janë kthyer më asnjëherë në Kosovë, që ka vështirësuar procedurat e pronësisë për ta.

Në Komunën e Fushë Kosovës tregojnë për rritjen e interesimit dhe vetëdijesimit të komuniteteve për t’i legalizuar pronat.

Lehtësimi i procedurave vetëm për komunitetet nuk varet nga autoritetet komunale, por niveli qendror.

Në Gjakovë janë rreth 8 mijë e 500 objekte të regjistrua si ndërtime pa leje.

Lagjja Brekoc në këtë komunë është pasqyrim i vështirësive dhe sfidave që ballafaqohen komunitetet rom, ashkali, egjiptian në mungesë të dokumenteve kadastrale.

Në këtë komunë, kanë qenë 30 raste të uzurpimit të pronës komunale.

Disa familje të komuniteteve, në mungesë të tokës, kishin uzurpuar tokë komunale.

Banime joformale janë krijuar edhe në lagje të tjera në këtë komunë.

Me një vendim të Kuvendit Komunal në vitin 2015, Komuna ka ndarë 116 prona për 99 vite në shfrytëzim për këtë komunitetet.

40 nga pronat janë ndarë për familjet e kthyera nga Mali i Zi.

Sipas statistikave të Komunës së Gjakovës, këtu jetojnë 6 mijë e 468 qytetarë të përkatësisë romë, ashkali dhe egjiptian.

Por, me kalimin e viteve, familjet janë rritur dhe komuniteti aty dëshiron të ndërtojë shtëpi të reja.

Në Pejë jetojnë rreth 1 mijë e 500 romë, shumica e të cilëve jetojnë në lagjen 7 shtatori, në tokë komunale, e cila me një vendim të Kuvendit Komunal iu dha në shfrytëzim për ndërtim të shtëpive, në mënyrë që këtyre familjeve t’u ofrohet strehim.

Komuna e Pejës në vitin 2016 me financim nga Bashkimi Evropian u ndërtoi shtëpi familje të komunitetit rom të kësaj komune.

Komuna planifikon që edhe gjatë këtij viti të ndërtojë shtëpi të tjera.

Zyra e Kryeministrit e as Ministria për Kthimin dhe Komunitete nuk i është përgjigjur interesimit të KTV-së për të kuptuar se edhe sa banorë nga komunitetet nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit dhe se çfarë janë duke punuar institucionet në nivel qendror për këtë problem.

I vetmi dokument për këtë është Strategjia për rregullimin e vendbanimeve joformale 2011-2015, e hartuar nga Zyra e Kryeministrit, por e cila asnjëherë nuk ka arritur të zbatohet, ndërsa prej asaj kohe nuk është hartuar ndonjë dokument tjetër.

Komunitetet vazhdojnë të mos posedojnë dokumentet përkatëse pronësore, gjë që ka bërë që procedura trashëgimore të vështirësohet.

Deri më 2 qershor 2015, Agjencia Kosovare e Pronës i kishte shqyrtuar gati të gjitha kërkesat e mbetura pronësore që ishin gjithsej 42 mijë e 749 raste.

Por, një marrëveshje e arritur me Serbinë për kthimin e dokumenteve kadastrale dhe shkëmbimin e regjistrave kadastralë, pritet të kontribuoj në mbrojtjen e të drejtave pronësore të të gjitha komuniteteve.

Por, edhe pas pesë vjetësh, shteti serb nuk ka kthyer dokumentet kadastrale të cilat i kishte marrë gjatë periudhës së luftës.

Janë rreth 4 milionë dokumente kadastrale që Serbia duhet t’ia kthejë Kosovës.

Për të zbatuar marrëveshjen për kthimin e këtyre dokumenteve, Serbia kishte marrë donacion nga Bashkimi Evropian rreth tre milionë euro.

Në Qeveri të Kosovës dhe as zyrtarë të ekipit negociator, nuk kanë treguar se kur këto dokumente do të kthehen në Kosovë.

Jo zyrtarisht nga ky ekip, i kanë thënë KTV-së se çdo marrëveshje që është nënshkruar me palën serbe në Bruksel do të jetë në tavoline diskutimi tash e tutje.

Në mungesë të informimit dhe edukimit të duhur komunitetet kanë pasur qasje të mangët për zgjidhjen e problemeve pronësore.

Gjatë monitorimit Avokati i Popullit ka vërejtur se komuniteti serb ishte angazhuar më shumë në zgjidhjen e problemeve të pronës.

Sipas këtij institucioni, komunitetet e tjera karshi atij serb kanë qenë të diskriminuara.

Mos-posedimi i dokumenteve të duhura që dëshmojnë pronësinë komuniteteve, u ka kushtuar me humbje donacionesh.

Organizatat joqeveritare që kanë financuar ndërtimin e shtëpive paraprakisht u kanë kërkuar atyre fletët poseduese.

EU Kthimi dhe Ri-integrimi në Kosovë është një aksion i përbashkët i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Që nga viti 2001 ky program ka ndërtuar 137 shtëpi për komunitetet rom, ashkali, egjiptian.

Në Kosovë, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, jetojnë mbi 8000 romë, 15 mijë ashkali dhe mbi 11 mijë egjiptianë.