Arbëri

Me 12 vjet punë në aviacion të Evropës, në Kosovë as që merret para sysh

Punoi 12 vjet në institucionet e aviacionit në Evropë, nuk pranohet në punë në Kosovë

Avdi Shala ka studiuar për aviacion ajror në Gjermani, derisa ka edhe njohuri e përvojë në këtë fushë, raporton KTV.

Ai, në 12 vjetët e fundit, ka punuar nëpër institucione të ndryshme të aviacionit në Evropë.

Pavarësisht tërë bagazhit që ka, ai nuk arriti të futet as në listën e ngushtë për pozitën e zëvendësdrejtorit në Agjencinë për Aviacion Ajror.

Ky konkurs u hap nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa Shala ankohet se me qëllim u eliminua nga lista e ngushtë nga komisioni përzgjedhës.

Sipas tij, kjo është bërë që kandidatët e përzgjedhur të mos kenë konkurrentë, pasi nuk kanë kualifikimin e duhur.

Shala, i dëshpëruar, ka ushtruar ankesë pranë komisionit përgjegjës, por nuk ka shpresë se do të vendoset diçka në favor të tij.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se përzgjedhja do të bëhet bazuar në ligjet në fuqi.

“Sipas informatave që kemi, ende nuk është bërë përzgjedhja dhe nuk po e kuptoj si është e mundur të ushtrohet ankesë në një procedurë që ende nuk ka përfunduar. Gjithsesi që çdo vendim duhet të jetë i bazuar në rregulla dhe ligje dhe transparenca do të jetë në çdo vendim lidhur me këtë çështje”, ka thënë Argjend Zenaj – Ministria e Infrastrukturës

Sidoqoftë, Shala po mendon ta lërë vendin, pasi ka marrë oferta për punë nga shteti gjerman, por mënyra si Kosova po injoron kuadrot, thotë se është dëshpëruese.