Arbëri

BE-ja reagon ndaj mohimeve të Serbisë për masakrën e Reçakut

Foto: Koha

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj pohimeve në Serbi që e quajnë “trillim” masakrën e Reçakut, raporton Koha Ditore.

Në një përgjigje për gazetarët, zëdhënësja për çështje të zgjerimit dhe politikës së Jashtme në BE, Maja Kocinançiç, ka përcjellë qëndrimin e BE-së se “nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak, në Kosovë, në janar të vitit 1999”.

“Mohimi dhe relativizimi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe kundër projektit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Duke respektuar viktimat, autoritetet duhet të përmbahen dhe të punojnë në mënyrë të sinqertë për një vlerësim të duhur të së kaluarës. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, thuhet në reagimin e BE-së.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, siç kanë përcjellë mediet, kishte përsëritur atë që shpesh dëgjohet nga zyrtarët tjerë të Serbisë dhe serbëve të Kosovës se kinse masakra e Reçakut “ka qenë trillim i ambasadorit Walker”.