Arbëri

Kryemadhi pas takimit me Palmerin: Hallet tona duhet t’i zgjidhim vetë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka pasur një takim me zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.

Pas këtij takimi, Kryemadhi deklaroi për mediat se zyrtari amerikan nuk kishte ardhur për të zgjidhur konfliktet politike në Shqipëri, duke shtuar se ato duhet t’i zgjidhin shqiptarët.

“Zoti Palmer nuk kishte ardhur për t’i dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do t’i zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.

Kryemadhi tha se me Palmerin kishin diskutuar për situatën politike në Shqipëri dhe shprehën dakordësi për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit.

“Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Evropian”, deklaroi ajo, përcjell KSP.