Arbëri

Si e kujtojnë “heronjtë” serbë ferrin e Koshares

"Njëzet vjet nga dita kur filloi beteja më e rëndë që ndali ndërhyrjen përmes tokës të NATO-s, beteja e Koshares mbushen sot. Në këtë betejë vdiqën 108 ushtarë që luftuan trimërisht për mbrojtjen e vendit të vet". Kështu nis rikujtimin e kësaj beteje transmetuesi publik i Serbisë, RTS, duke gënjyer se aty ishte ndalur 'ndërhyrja përmes tokës e NATO-s', e cila që në fillim kishte projektuar në strategjinë e saj sulme vetëm nga ajri dhe ashtu ka vepruar deri në fund, ndërsa në Koshare pjesëtarët e UÇK-së bënë betejën më heroike kundër makinerisë luftarake serbe, duke i shkaktuar disfatë historike, transmeton Koha.net

Pjesëtari i Brigadës 125 të Motorizuar, Dejan Joviqeviq, rrëfen në RTS:

"Ndodheshim në Çakorr, më saktësisht në Grykë të Rugovës, ku patrullonim dhe u vendosnim prita çdo ditë shqiptarëve, të cilët fusnin armë në territorin e Kosovës. Pas vazhdimit të afatit të shërbimit ushtarak, ne na zëvëndësoi një grup vullnetarësh, ndërsa njësia jonë u nis drejt kufirit...

Atje u përballem me diçka që deri atëherë asnjë aksion, asnjë përvojë nuk do të kishte mundur të na përgatiste psiqikisht.

Më kujtohet një situatë kur një shok imi i shkollës por transportonte ushtarë të vrarë nga pozicioni ku ne duhej të shkonim. Sot e kësaj dite nuk jam i sigurt nëse fakti që atëherë ishim, si gjeneratë e marsit, ushtarët më të vjetër e më me përvojë, e theksoj ishim 19 e 20 vjeç, duhej të ishte ngushëllim apo të na shqetësonte më shumë.

Radojeviq në atë kohë ishte zëvendës i komandantit të karakollit në Koshare. Më 9 prill aty ndodheshin 115 ushtarë kufitarë. Ata ushtarë ishin pjesëtarë të njësive sepciale kufitare. Ata ishin ushtarë të përgatitur posaçërisht, të stërvitur për sigurimin e kufirit. Psiko-fizikisht kanë qenë më të aftë se ushtarët e tjerë, pikërisht për shkak të terrenit të ashpër dhe të mënyrës së sigurimit të kufirit. Ata ushtarë 20 vjeç e mbajtën barrën e betejës së Koshares.

Sulmi në Koshare për ta nuk ishte befasi. Kufitarët detyrat e tyre luftarake i kryenin në kushte shumë armiqësore.

Në një anë është Republika e Shqipërisë, që ka pretendime ndaj territorit tënd, kurse pas fshatrat ku etnikisht jetojnë shqiptarët, dhe kufitarët kryenin detyrat në një ambient të tillë.

Për numrin dhe forcën e ushtrisë së armikut flitej pandërprerë.

Ajo që dëgjojmë tash pas 20 vjetësh nga ana tjetër dhe ajo që kemi përjetuar në lëkurën tonë, bëhet fjalë për një forcë të madhe. Ishte e gjithë ushtria e rregullt e Shqipërisë. Kanë qenë dy brigada, pjesëtarë të UÇK-së dhe brigada e mercenarëve nga vendet arabe e myslimane..."

Më 1999 në Koshare ishin pjesëtarët e brigadës speciale 72 e 63 dhe e vullnetarëve nga Rusia e Serbia. Sasha Radojeviqi rrëfen "për momentet e pabesueshme. Kur u qëllua pozicioni i gurit të kufirit C-4, tri ditë shkonte zjarr.

Disa ditë rresht vazhdoi djegia e shkurreve dhe në to shiheshin trupat e ushtarëve duke u djegur. Tymi e flaka vazhduan edhe tre, katër ditë. Ishte e tmerrshme. Ishin momente kur mbi ne hidheshin bomba. Brenda disa sekondash ngriheshe në ajër, fluturoni e pastaj përplaseni për tokë dhe prisni që të qëlloheni nga bomba tjetër, rrëfen Radojeviqi.

Më 1999 në Koshare u vranë 108 ushtarë.

Ushtari serb Darko Gajiq në 20-vjetorin e betejës së Koshares kërkon shokun e luftës, të cilin e ka shpëtuar në Kosovë më 1999.

"Bomba ra dhe ia copëtoi këmbën ushtarit Enis Suleviqit (shqiptar - sqarim ynë). Ishte një skenë e tmerrshme. Ne, pesë ushtarët që ishim me të, e vendosëm në një lesë prej krahut të shatorrit dhe e bartëm deri në spitalin e parë të improvizuar. Katër nesh e bartnin lesën, kurse i pesti mbante në dorë këmbën e Enis Suleviqit" e përshkruan rastin në gazetën "Blic" të Beogradit Darko Gajiq nga Shabaci, që tash jeton në Beograd. Ky, tani, e kërkon Enisin që nuk e ka parë tash 19 vjet. Thotë se "e di që është diku nga jugu i Serbisë, në kufi me Kosovën..."

"Enisi mbante hajmali nën sqetull. Besonte se ajo do ta mbronte. Kur e hetoi se i kishte humbur, shihej i frikësuar. E çuam ushtrinë në këmbë për ta gjetur, por më kot. Atëherë Enisi tha se nuk do të shkojë në vijën e parë të frontit (bëhet fjalë për Qafën e Morinës në kufi me Shqipërinë - v.j) deri sa të mos gjejë një hoxhë për t'i shkruar hajmalinë. Shkuam në Gjonaj dhe aty një hoxhë i shkroi hajmalinë tjetër dhe pastaj u nisëm drejt Qafës së Morinës" ka rrëfyer tash Darko.

"Stanoja vdiq në duart e mia. E qëlloi snajperisti ditën e dytë pas shkuam te Rrasa në Koshare. Ra për tokë pranë meje, ia mbaja gjuhën, nuk e kuptoja çfarë i ndodhi meqë nuk i shija kund gjak. Vetëm kur arritën dy ushtarë dhe e tërhoqën nga pozicioni, duke e kapur për duarsh, kur iu përvol xhaketa pash në kërthizë e në bar ca pika gjaku. Ishte qëlluar në bark" rrëfen ish-ushtari i Koshares, Ognjen Balçakoviq.

"Lufta ishte e pabarabrtë, por ishte heroike. Armiku nuk zgjidhte mjete për të arritur qëllimet e veta. Boban Zhivkoviq përkujton natën midis 10 e 11 maj kur u vranë nëntë ushtarë e 40 u plagosen", shkruan "Blici".

""Më kujtohet se me mua vrapoi edhe një djalosh nga Piroti. Pasi u ndalën sulmet, u kthyem në objekt. Nga të gjitha anët vinin kukamat, shumë të tjerë ishin të vdekur, kam parë njerëz pa këmbë. E bartnim një shok që i ishte shkëputur krejtësisht këmba e majtë... Një ushtar i qëlloi veten në kokë kur pa se kishte mbetur pa këmbë..." ka rrëfyer Zhivkoviqi, transmeton Koha.net përshkrime nga shtypi serb, që e kujton këtë ditë, si tmerrin më të madh të luftës në Kosovë më 1999.