Arbëri

Prifti serb që jeton në jug të Mitrovicës kërkon gjuhë të përbashkët mes dy komuniteteve

Në një reportazh të gazetës gjermane “Berliner Zeitung” për Mitrovicën e ndarë vihet fokusi tek serbët e fundit që jetojnë në pjesën jugore të qytetit të ndarë.

Prifti serb, Nenad Stojanoviq beson në të ardhmen, megjithëse “Mitrovica si asnjë qytet tjetër në Kosovë është simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve”.

Bashkë me familjen, Nenad qëndron në pjesën shqiptare, bashkë me serbët e fundit që jetojnë aty.

“Ata janë dëshmitarë të historisë së vështirë të këtij qyteti, por me këmbënguljen e tyre edhe një sinjal se është e mundur një e ardhme mbi rrënoja”, shkruan gazeta gjermane, transmeton DW.

Kisha ortodokse megjithëse në gjendje jo të mirë, sidomos pas trazirave të marsit 2004 në Kosovë, e përmbush me sa duket qëllimin, ardhjen e serbëve edhe në pjesën jugore të qytetit.

“Pa liturgjitë e mia do të vinin shumë më pak serbë në pjesën jugore”, thotë Nenad Stojanoviq.

Komuniteti është i vogël, megjithatë situata në vitet e fundit është përmirësuar. “Sot njerëzit e kanë kuptuar, se duhet të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin... Nëse dikur përgjegjës për ruajtjen e kishës ishin ushtarët e KFOR-it, sot këtë detyrë e kryen një polic i njësisë policore të Kosovës”.

Që nga koha kur prifti Nenad Stojanoviq jeton në kishë nuk ka pasur asnjëherë incident aty. Ai do ta mbajë larg politikën nga kisha.

“Dëshira e tij është që katër fëmijët e tij të rriten në një Kosovë të sigurt. Këtë qëllim ai e sheh si të dëmtuar për shkak të propagandës nga të dyja palët”, shkruan “Berliner Zeitung”.

“Nga fillimi i vitit retorika mes Prishtinës dhe Beogradit është ashpërsuar”.