Arbëri

Haradinaj ‘pajtohet’ me Çitakun që e quajti “ambasadore të Hashim Thaçit”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se të shtunën ka zhvilluar drekë pune me Ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, si dhe bashkëpunëtorët e saj Edi Demaj dhe Marjan Camaj, ndërmarrës në Detroit të SHBA-së.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është mbresëlënës suksesi i tyre, pasi, sipas tij, nga refugjatë të ‘99-ës ata janë bërë emra të suksesshëm në fushën e teknologjisë, internetit dhe IT-së.

“Storien e suksesit në SHBA e kanë sjellë edhe në Kosovë, duke investuar kapitalin e tyre për të hapur vende të reja pune dhe rritur ekonominë e vendit. I lumtur të kuptoj që planet për Kosovën veç janë rritur”, ka shkruar Haradinaj, raporton Koha.net.

Ndër të tjera ai thotë se i ka ftuar të investojnë më shumë në Kosovë duke u zotuar që qeveria do të ju qëndrojë pranë .

Ky është takimi i parë mes ambasadores Çitaku dhe kryeministrit Haradinaj, pasi ky i fundit ditë më herët e kishte quajtur Çitakun “ambasadore të Hashim Thaçit”.