Arbëri

Pas incidentit, palës kosovare në Beograd i ishte rekomanduar që të kthehej në Prishtinë

Shpend Lila nga ICK, ka qenë duke prezantuar në Samitin Digjital në Beograd kur i është ndërprerë fjala.

Në ekranin pas tij janë shfaqur edhe shkrime në të cilat thuhej se Kosova është Serbi, raporton KTV.

Por, Lila ka falënderuar ata që ia ndërprenë fjalën, për të vazhduar me prezantimin që kishte nisur.

Ai, paraqitjen e Kosovës në Samitin Digjital të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, e vlerëson të suksesshme, pavarësisht ndërhyrjeve të shumta.

Lila thotë se kanë pritur një reagim të tillë nga pala serbe, duke shtuar se publiku i ka pritur mirë. Megjithatë, palës kosovare, pas incidenteve të ndodhura, i është rekomanduar që të kthehet në Kosovë.

Megjithatë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se është me rëndësi që marrëveshja është nënshkruar.

Sjelljen e Lilës dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka vlerësuar ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Ai i ka komplimentuar ata për ruajtje të gjakftohtësisë, duke thënë se përmbajtja është ajo që ka rëndësi.

“Veprimet e keqdashësve na tregojnë që jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Edhe Zyra e BE-së në Kosovë, ka reaguar të shtunën duke i quajtur të papranueshme deklaratat dhe veprimet që ulin vlerën e asaj që është arritur.

Sipas BE-së, asnjë veprim kundër dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, nuk ndihmon përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për të arritur zgjidhje të qëndrueshme.