Arbëri

Avokati i Popullit kërkon ndryshimin e ligjit për personat e verbër

Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që ta bëjë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Personat e Verbër, në mënyrë që lëshimi i librezave dhe krijimi i regjistrit të evidencës për librezat e lëshuara, të mbesin kompetencë e MPMS-së.

Gjithashtu Avokati i Popullit, ka rekomanduar ministrisë që ta bëjë plotësim-ndryshimin e nenit 17.1 të Ligjit për Personat e Verbër, duke siguruar që përfaqësimi i OJQ-ve në përbërje të Komisionit Mediko-Social, të mos kufizohet vetëm në ShVK.

Avokati në zbatim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, publikoi raportin me rekomandime në ankesat e parashtruar nga ankuesit Gëzim Rexha, Nazmi Sejfullahu dhe Halil Kurmehaj, lidhur me kushtëzimin me anëtarësim në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës për t’u pajisur me libreza të verbërisë, me qëllim të përfitimit të të drejtave dhe të beneficioneve të garantuara sipas Ligjit për Personat e Verbër.

“Qëllimi i këtij raporti me rekomandime është tërheqja e vëmendjes së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ndryshimin e Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër, në kreun III, ku përcaktohen Grupimet, Përfitimet nga Statusi i të Verbrit, Evidenca dhe Komisionet Mediko-Sociale, sipas të cilit, kompetenca për lëshimin e librezës së posaçme të verbërisë, si dokument, provë për përfitim nga ky ligj, në nenin 17, paragrafi 8, përcaktohet: “Shoqatat bazuar në vendimin e Komisionit Mediko-social lëshon librezën e posaçme të verbërisë, si dokument, provë për përfitim nga ky ligj”; në nenin 18, paragrafi 2, përcaktohet: “Në fund të vitit kalendarik, por edhe sipas kërkesës së ministrisë përkatëse, Shoqata e të Verbërve të Kosovës obligohet të dorëzojë regjistrin e evidencave të librezave të lëshuara për përfituesit nga ky ligj”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Avokat i i Popullit, përmes këtij raporti, tërheq vëmendjen e MPMS-së dhe të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës (ShVK) në detyrimet ligjore rreth ofrimit të përgjigjes në shkresat e parashtruara nga Avokati i Popullit, më 13 mars 2018, me nr.prot.431/2018, përkitazi me rastin A.nr.57/2018, të ankuesit z. Halil Kurmehaj, si dhe në shkresën e parashtruar në ShVK më 18 shtator 2018, përmes postës elektronike, për rastin e ankuesve. Avokati i Popullit konstaton se kushtëzimi i ankueseve me anëtarësim në ShVK, kundër vullnetit të tyre, personat e verbër pa anëtarësim i vendos në pozitë të pabarabartë, në raport me personat e verbër të anëtarësuar, si dhe i privon ata nga e drejta e tyre për të gëzuar beneficionet që burojnë nga Ligji për Personat e Verbër.

Rrjedhimisht, Avokati i Popullit konstaton se një praktikë e tillë shkel dispozitat kushtetuese, përkatësisht nenin 24, paragrafi 1, që përcakton: “Të gjithë janë të barabartà « para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”; paragrafi 2: “Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhje kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.”; si dhe paraqet shkelje të Ligjit nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, neni 3, paragrafi 1, që përcakton konceptin e diskriminimit: “Parimi i trajtimit të barabartë nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë sipas kuptimit të cilësdo nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji”

Një praktikë e tillë me kushtëzimin me anëtarësim në ShVK për t’u pajisur me libreza të verbërisë, të cilat personat e verbër i përdorin me qëllim të përfitimit të të drejtave dhe beneficioneve të garantuara me ligj, bie ndesh dhe është në kundërshtim edhe me vetë Ligjin nr. 04/L-092 për Personat e Verbër, i cili në nenin 4, paragrafi 1, garanton: “Personat e verbër mbrohen nga të gjitha llojet e shfrytëzimit, diskriminimit, abuzimit, fyerjes talljes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët bazuar në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Avokati i Popullit konstaton se kushtëzimi i ankueseve për t’u anëtarësuar në ShVK, kundër vullnetit dhe bindjeve të tyre, vetëm për shkak të fitimit të së drejtës për t’u pajisur me libreza të posaçme të verbërisë, pa pasur mundësi të zgjedhin shoqata të tjera për t’u anëtarësuar, gjithashtu përbën shkelje të nenit 44, paragrafi 1, të Kushtetutës, i cili përcakton: “Liria e asociimit është e garantuar. Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pa sur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate”; dhe gjithashtu bie në kundërshtim edhe me Ligjin nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, përkatësisht me nenin 3, paragrafi 1, i cili përcakton: “Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t’u asociiuar dhe themeluar OJQ-në.”; dhe paragrafi 2: “Asnjë person nuk obligohet që të asociiohet kundër vullnetit të tij dhe asnjë person nuk diskriminohet në asnjë mënyrë për shkak të vendimit për t'u asociiuar apo për të mos u asociiuar|.

Prandaj, Avokati i Popullit rekomandon edhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, që deri në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Personat e Verbër, t’i pajisë me libreza të verbërisë të gjithë personat të cilët e kanë Vendimin e Komisionit Mediko-Social, pa i kushtëzuar me anëtarësim në ShVK.