Arbëri

Zhiviq fton fermerët e Anamoravës të aplikojnë në programet që përkrahin bujqësinë

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, ka vizituar fermerët e rajonit të Anamoravës, ku ka parë për së afërmi kushtet në të cilat punojnë këta fermer duke u njoftuar edhe me sfidat me të cilat përballen ata në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se ministrja Zhiviq, i ka njoftuar fermerët më hollësisht me Programin për Pagesa Direkte dhe me Programin për Bujqësi dhe Zhvillimin Rural të MBPZHR-së për këtë vit derisa ka theksuar se përmes masave përkrahëse të këtij programi do të ofrojnë mbështetje për shumë kultura e veprimtari bujqësore, transmeton Koha.net.

Ajo tutje u ka bërë thirrje që të aplikojnë në këto programe, përmes të cilave do ta zgjerojnë përkrahjen për shumë sektor të bujqësisë, duke ndikuar kështu edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Fermerët e kësaj ane kanë bashkëbiseduar me ministren Zhiviq për shumë tema rreth bujqësisë dhe mundësive për punësim në këtë sektor. Po ashtu, atyre iu është bërë ftesë që në vazhdimësi të shtrojnë para institucioneve idetë dhe kërkesat e tyre, në mënyrë që ato të adresohen në politikat mbështetëse.