Arbëri

Haradinaj takohet edhe me ambasadorin gjerman, ia tregon statistikat e migrimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takime të ndryshme sot, siç i quan ai, të rregullta, me ambasadorë ndërkombëtar.

Një takim tjetër, pas atij me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett, e ka zhvilluar me ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt.

Lexo edhe: Haradinaj takon ambasadorin amerikan

“Në takimin e rregullt me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ndër të tjerash theksova se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ka shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit dhe është e përkushtuar që të avancojë me raportet bilaterale me Gjermaninë dhe, gjithmonë e gatshme për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje”, ka shkruar Haradinaj.

Kisha kënaqësi, thotë Haradinaj, të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018.

“Krahasuar me vitin 2015, ku shifrat e migrimit tregonin për 67.545 persona që kanë migruar, viti 2018 me vetëm 723 raste, tregon qartë një rënie prej 98%, rezultat ky që dëshmon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës, për të respektuar së pari, shtetin e Kosovës dhe gjithashtu për të respektuar parimet bazë të lëvizjes së lirë”, ka përfunduar Haradinaj.