Arbëri

Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizës

Foto: Koha / ilustrim

Banka Botërore në Kosovë ka paralajmëruar Qeverinë se borxhi i publik në Kosovë deri në vitin 2025, mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.

Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës në fund të vitit të kaluar kishte arritur në rreth 1.1 miliard euro ose 17 për qind e Bruto Produktit Vendor. Nga borxhi i përgjithshëm, sipas një raporti të Ministrisë së Financave, rreth 700 milionë euro i takon borxhit të brendshëm, kurse më shumë se 400 milionë euro i përket borxhit ndërkombëtar.

Borxhi publik në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Në vitin 2014, vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 582 milion euro, kurse tri vjet pas, në vitin 2017 kjo vlerë ka arritur në rreth një miliard euro.

Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Shqetësues, sipas tyre, është fakti se rritja e borxhit publik mund të rezultojë nga faturat e pagave, transfereve dhe skemave sociale.

Lekë Musa, ish drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga koalicioni qeverisës aktual, por edhe nga qeveritë e kaluara, është rritur tendenca e keqpërdorimit të mjeteve buxhetore për arsye politike dhe partiake. Dhe nëse një situatë e tillë vazhdon, sipas tij, kriza buxhetore është e pashmangshme dhe e vetmja mundësi mbetet huamarrja përmes borxheve ndërkombëtare.

“Dhe këtu gjithsesi do të kenë efekt negativ, për arsye se me largimin e një lloji mbikëqyrjeje më strikte të qeverisjes dhe buxhetit të Kosovës, ka pas një tendencë të largimit nga disiplina fiskale, që fillimisht ka ekzistuar. Thjeshtë buxheti dhe financimet publike po keqpërdoren për nevoja partiake dhe politike dhe nëse vazhdohet kështu, kriza buxhetor është e pashmangshme”, tha Musa.

Radio Evropa e Lirë