Arbëri

Shqiptarët e Kosovës më së shumti e duan Merkelin, Trumpin e pastaj Erdoganin

Për shqiptarët e Kosovës liderja më e preferuar botërore është kancelaria gjermane, Angela Merkel.

Ajo ka lënë prapa numrin një të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, si dhe presidentin turk Reccep Tayyip Erdogan.

Këto rezultate kanë dalë nga anketa me 1200 respodentë, në të gjitha komunat e Kosovës që e ka realizuar Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

“Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është dukshëm liderja më e preferuar e kosovarëve, me 53%, duke e lënë prapa presidentin amerikan Donald Trump me 17%”, thuhet në raport. Pas tij është Erdogani, që ka marrë vlerësimin e 15.7% të të anketuarve shqiptarë.

Image
Burimi: PIPS

Me Gjermaninë kosovarët shohin edhe lidhje të tjera.

“34% qytetarëve besojnë se Gjermania duhet të jetë partneri kryesor ekonomik i Kosovës”.

Siç pritet, më i preferuari i serbëve të Kosovës është presidenti rus, Vladimir Putin.

“87% e serbëve të Kosovës e vlerësojnë Vladimir Putinin si liderin më të preferuar botëror”, thuhet në raportin e PIPI-it, përcjell Koha.net.

Ndër gjetjet kryesore të këtij raporti është edhe “vlerësimi pozitiv i qytetarëve kosovarë për politikën e BE-së karshi Kosovës, që aktualisht gjendet tek shifra 54%”.

Po ashtu, aty thuhet se 55% e qytetarëve vlerësojnë se NATO është organizata që e ka ndihmuar Kosovën më së shumti nga viti 1999, duke e lënë kështu prapa BE-në me 21%.

“73% e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht rolin e NATO-s në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj për paqe”.

Qytetarët e Kosovës po ashtu besojnë se Gjermani është shteti që më së shumti i kontribuon paqes në botë.

Në raportin e PIPS-it, që është përpiluar nga Butrint Berisha, thuhet se pyetja ka kërkuar që për secilin shtet të vendoset një gradë nga 1-5 (1 më e ulëta dhe 5 më e larta) në raport me sjelljen ndaj shteteve tjera dhe kontributit për paqen.

“Rezultati për këtë pyetje është si vijon: Gjermania me 4.25, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me 4.14 dhe Mbretëria e Bashkuar (MB) me 3.84 rangohen më së miri. Qytetarët kosovarë vlerësojnë se Kina (2.11) dhe Rusia (1.79) nga shtetet e listuara, sillen më së keqi në politikën ndërkombëtare me shtetet tjera, duke i kontribuar më së paku paqes globale”, thuhet në raport.

Megjithatë SHBA-ja mbetet si shteti kryesor partner i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nga respodentët është kërkuar të zgjedhin tre nga shtetet të cilat vlerësohen si shtetet partnere të Kosovës në politikën ndërkombëtare.

“Si shtete partnere janë cilësuar ato shtete të cilat e kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në sfera të ndryshme për të arritur objektivat e saj”, thuhet në raport. 1 është pika më e lartë e 3 është pika më e ultë.

“SHBA me 1.69, Gjermania me 1.96 janë ranguar dy shtetet kryesore. Shqipëria (2.06), Italia (2.08), Kroacia (2.09), Turqia (2.10) kanë shifra të përafërta. Befasi në këtë përgjigje është rangimi relativisht i ulët i Mbretërisë së Bashkuar, shtet i cili bazuar në trendin e përgjigjeve paraprake pritshmëritë do të ishin që shifra të ishte më e lartë se sa ajo aktuale (2.29)”, thuhet në raport.