Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka anuluar raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për legjislacion, ku është dashur të raportonte në lidhje me letrën kërcënuese që ua kishte dërguar të gjithë punëtorëve të Telekomit, raporton KTV.
Kryetarja e komisionit, Albuena Haxhiu, ka thënë se një letër e tillë është në kundërshtim me ligjin për sinjalizuesit.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e ka cilësuar të panevojshëm takimin pasi sipas tij letra s’është shkelje e ligjit për sinjalizuesit, por kërkesë për respektimin e rregullores së ndërmarrjes dhe mosnxjerrjes së dokumenteve konfidenciale.
Ai është kundërshtuar nga Haxhiu dhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi. Ata kanë theksuar se falë raportimeve dhe dokumenteve që kanë dalë në publik e që nuk janë konfidenciale është zbuluar një rrjet kriminal i instalimit të nepotizmit në Telekom.
KTV-ja ka disa javë që po raporton për punësimet e familjarëve të njerëzve në pushtet në këtë ndërmarrje.
-
2 prill 2019 15:20
-
Shpërndaje në: